E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot zgjedhjet serbe në Kosovë, banorët në udhëkryq

Krasniqi: Qeveria pa kapacitete për të bllokuar zgjedhjet jolegale serbe

Serbia mban sot zgjedhjet lokale në dy komuna të Kosovës, me gjithë kundërshtimin e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare në Prishtinë. Zgjedhjet do të mbahen në veri të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe dhe në Novobërdë, të banuar me popullatë të përzier.

Në këto dy komuna në zgjedhjet e rregullta lokale serbe të vitit 2008 dështoi formimi i organeve komunale, që rezultoi me emërimin e udhëheqjes së përkohshme. Kryetari aktual i Novobërdës, Bajrush Imeri ka thënë se institucionet e kësaj komune nuk kanë kompetenca që ti pengojnë zgjedhjet serbe dhe se dalja në këto zgjedhje ose jo, e qytetarëve serbë, do të varet tërësisht nga vullneti i tyre.


Zgjedhjet serbe thellojnë ndarjen e Kosovës
Përfaqësues të autoriteteve vendore e ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë thonë se nuk kanë përgatitur plane të veçanta operative për ta mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë gjatë mbajtjes së zgjedhjeve serbe në veri, por ata theksojnë se rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të jenë të pavlefshme. Klubi për Politikë të Jashtme vlerëson se zgjedhjet serbe do ta thellojnë ndarjen e Kosovës. Pavarësisht deklarimeve të faktorit vendor e ndërkombëtar se nuk do të njihen rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të Serbisë, të mbajtura në Kosovë, ky proces pritet të zhvillohet sot në dy komuna në vend. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk beson se Qeveria e Kosovës do të jetë në gjendje ta përmbushë obligimin e marrë një ditë më herët nga legjislativi, për ti bllokuar zgjedhjet jolegale serbe. Ndryshe nga shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi, i cili është deklaruar i gatshëm për ta zbatuar çdo vendim të Kuvendit, Krasniqi ka thënë se Kosova ende nuk i ka potencialet për të marrë veprime aq të mëdha në veri. Republika e Kosovës nuk i ka kapacitetet e sigurisë të ndërtuara në atë masë sa të marrë veprime të tilla (ndalimin e zgjedhjeve v.j.), është shprehur kryeparlamentari Krasniqi. Kuvendi i Kosovës, jo vetëm se ka kërkuar nga Qeveria që të marrë masa për ndalimin e zgjedhjeve serbe, por e ka obliguar atë, që të pengojë edhe ushtrimin e çdo lloj veprimtarie të paligjshme të autoriteteve shtetërore serbe brenda territorit të Kosovës, përfshirë ndalimin e vizitave pa leje të zyrtarëve serbë. Qeveria, veç tjerash, është ngarkuar edhe me hartimin e një plani aksional për zhbërjen e strukturave të pushtetit serb në veri të vendit. Megjithatë, mekanizmat kosovarë e ndërkombëtarë të sigurisë nuk kanë përgatitur plane speciale operative lidhur me mbajtjen nën kontroll të situatës së sigurisë gjatë ecurisë së procesit elektoral serb. Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, mohon që Policia e Kosovës të ketë përgatitur ndonjë plan të veçantë lidhur me këtë ngjarje. E diela do të kuptohet si një ditë e rregullt e punës, me orar të rregullt të punës të zyrtarëve të policisë. Nuk ka asnjë operacion të veçantë që lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet. Por, sigurisht që masat e sigurisë do të përqendrohen kryesisht në orarin kur është paralajmëruar të mbahet protesta në qendër të qytetit, në jug të Mitrovicës, por edhe disa ngjarje të tjera, të cilat zgjojnë interes të publikut, thotë Hoti. Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit thuhet se do të mbikëqyrë gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës. Zëdhënësi i EULEX, Hans Kristian Klasing, thotë se misioni evropian nuk mund ti komentojë planet eventuale operative për procese të caktuara. Në gjendje gatishmërie, por pa plan të caktuar veprimi dhe pa shtuar praninë e pjesëtarëve të vet në veri, duket se do të jetë edhe misioni ushtarak i NATO në Kosovë. Zëdhënësi i KFOR, Mihael Këting, shpjegon se në kuadër të mandatit të tyre, ata do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mbajtur një ambient të qetë e të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

Kandidatët
Në Novobërdë garojnë katër subjekte politike, Partia Përparimtare Serbe, Partia Demokratike, Partia Socialiste e Serbisë dhe Partia Demokratike e Serbisë. Drejtues të disa partive politike mes të cilëve ish-kryeministri Vojisllav Koshtunica nga Partia Demokratike Serbe dhe ish-kandidati për president, Tomisllav Nikolic, nga Partia Përparimtare Serbe, javën që sapo lamë kanë hyrë në veriun e Kosovës për të zhvilluar fushatë pa lejen e autoriteteve vendase. Ata iu kanë bërë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhje, duke u premtuar se Serbia do të qëndrojë gjithnjë pranë tyre dhe se nuk do të pajtohet kurrë me pavarësinë e Kosovës. Në mesin e kandidatëve që garojnë për kryetar të komunës së Mitrovicës (Veriore) është edhe sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic.

Last Updated on E Shtune, 29 Maj 2010 18:29

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›