E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherefedin Shehu: Ulja e TVSH, skemë populiste dhe jo realiste

26-09-2011 / Gazeta 55

Mazhoranca paralajmëron opozitën se s’do marrë në shqyrtimin propozimin e kësaj të fundit për uljen e TVSH-së për mallrat ushqimore

Nisma e opozitës për heqjen apo uljen e Tatimit të Vlerës së Shtuar për disa prej produkteve të shportës së konsumit shihet nga deputetët e mazhorancës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë si një propozim populist dhe jo realist.
Sherefedin Shehu, ish-zëvendës ministër i Financave thotë se ndërmarrja e kësaj nisme, do të reduktojë koston për prodhuesit dhe do të ndikojë shumë pak në uljen e çmimit përfundimtar për konsumatorin.
“Kjo është e padrejtë sepse ajo ka më shumë qëllime populiste apo politike, sesa qëllime për uljen e ngarkesës për shtresat në nevojë. Rrezikshmëria e uljes së kësaj takse qëndron në faktin sepse nuk ka garanci për uljen e çmimit. Pra, porsa kohë mungon një mekanizëm i cili në mënyrë automatike uljen e kësaj takse e transferon apo shndërron në ulje të çmimit, atëherë ulja e kësaj takse mbetet demagogjike”, u shpreh Shehu.
Ish-zëvendësministri i Financave jep edhe disa prej mënyrave që sipas tij ndikojmë në uljen e çmimit, duke veçuar formulën bazë që është kërkesë-oferta e mallrave në treg. Thënë më thjesht, politikat e ndjekura në rritjen e prodhimit do të çonin në ulje të çmimit. “Çmimet lidhen me dy faktorë që janë kërkesa dhe oferta, kështu që krijimi i një ambienti për zhvillimin dhe rritjen e biznesit, krijimi i një ambienti për rritjen e prodhimit ose të ofertës në treg. Ky është mekanizmi më i mirë, mekanizmi më i sigurt që garanton uljen e çmimeve të mallrave në treg”, tha ai.
Sipas Shehut, Shqipëria renditet në vendet që kanë vlerën e TVSH-së në nivel mesatar krahasuar me shtetet e tjera.
Ndërkaq pritet që gjatë javës që vjen opozita të dorëzojë në komisionet e kuvendit propozimet përkatëse për uljen apo heqjen e TVSH-së për disa prej produkteve të mallrave të konsumit, propozime këto që mund të kenë pak gjasa të miratohen.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›