“PS të mos na përjashtojë, jo ndryshim, por vetëm korrigjim të sistemit zgjedhor”
Pa rezultat dy tryezat e PS-së me aleatët, Milo dyshues ndaj Ramës
Aleatët e Partisë Socialiste kërkojnë korrigjim të sistemit zgjedhor dhe jo ndryshim të tij. Paskal Milo, që në 2008 votoi kundër kodit të ri zgjedhor të propozuar nga Partia Socialiste, zbulon qëndrimin e mbajtur nga partia e tij dhe aleatet e tjerë, në
tryezën e thirrur nga Edi Rama për reformën zgjedhore, në fillim të javës.
Milo kërkon që edhe partitë jo parlamentare të bëhen pjesë e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore për të dhënë propozimet e tyre për mënyrën sesi mund të ndërhyhet në kodin elektoral. Mungesën e disa prej përfaqësuesve kryesor të opozitës së bashkuar në tryezat e aleatëve të thirrura muajt e fundit nga kryesocialisti, Milo e shikon me shumë si qëndrime individuale që nuk dëmtojnë realisht bashkëjetesën e partive me program të ndryshëm politik brenda të njëjtin koalicion.
Gjithashtu, Milo zbulon edhe një tjetër detaj nga dy takimet e PS-së me aleatët, ku nuk është arritur të vihen pikat mbi ‘i’ lidhur me modalitetet e reformës zgjedhore apo qoftë dhe mbi rolin e partive të vogla në këtë proces.
Kreu i PDS-së nuk e fsheh dyshimin se me Edi Ramën hartues dhe propozues të reformës së re zgjedhore, mund ta shohë veten jashtë projektit të ligjit elektoral, ashtu sikurse 3 vjet më parë kur Rama nxori jashtë radhëve të diskutimeve të ligjit, pjesën dërrmuese të aleatëve të PS-së. Ndaj, në dy takimet e zhvilluara me aleatët, PS s’ka mundur të thithë mendimet dhe propozimet e të vegjëlve, nga ku kuptohet se është duke i përdorur mediatikisht ende pa nisur nga puna komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, për t’i lënë më pas jashtë dyerve të diskutimit.