Miratimi i 12 rekomandimeve, opozita refuzon
Bashkimi Evropian kërkon bërjen e “detyrave të shtëpisë”, në mënyrë që Brukseli të firmosë dhënien e statusit të vendit kandidat. Kur kanë mbetur më pak se 3 javë nga publikimi i progres-raportit të Komisionit Evropian, për Shqipërinë, parlamenti shqiptar është bërë pengesë në miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, pjesë e draftit të BE-së me 12 pika. E thënë më shkurt, Partia Socialiste refuzon në 3 seanca plenare të gjitha projektligjet e depozituara në Kuvend, me arsyetime nga më banalet, thjesht e vetëm zvarritjen e procesit dhe gërshetimin e pazareve politike, në këmbim të votës për integrimin.
Sa qesharake aq dhe e papranueshme, por opozita e ka kthyer në moto jetese politike, kushtëzimin dhe shantazhin, edhe për çështje të rëndësisë imediate, siç është projekti kombëtar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në vend të votës për integrimin e vendit, ‘votë’ e cila duhet të përmbushë zotimin e Tiranës ndaj Brukselit, në realizimin e standardeve evropiane, Edi Rama doli para shqiptarëve me platformën anti-BE, duke thënë haptazi se para interesave të shqiptarëve, janë interesat e tij personale.
I gjithë kursi i propaganduar lart e poshtë nga Partia Socialiste për ndryshim të metodikës së të bërit opozitë në Parlament si dhe kontributit në vijim të afrimit të vendit me strukturat evropiane, është një fars dhe mashtrim i mirëfilltë, pasi socialistët s’janë të interesuar për standarde, integrim apo dhe zhvillim e prosperitet të Shqipërisë, pasi kjo do skarconte ndjeshëm karrierën politike të Edi Ramës, e cila është e ndërtuar mbi premtimin ndaj nomenklaturës së bllokut, për bllokimin e integrimit të Shqipërisë.
Prandaj, s’është shumë e vështirë të kuptohet se çfarë fshihet pas shantazhit me 10 pika, e cila është një platformë e mirëfilltë për të penguar marrjen e statusit të vendit kandidat edhe për këtë vit. Dhe përsëri barrën e përgjegjësisë e merr Partia Socialiste dhe Edi Rama.