E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristaq Kume: Të reduktohen ose shtohen qarqet zgjedhore

26-09-2011 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore, ekspertët propozojnë ndryshimin e sistemit dhe ndarjen e re administrative

Dy partitë e mëdha politike PD dhe PS kanë nisur negociatat me të vegjlit mbi modalitetet e reformës së re zgjedhore dhe pikat e bashkëpunimit në të ardhmen. Si në çdo diskutim për ligjin elektoral, rreziku i partive të vogla mbetet pragu elektoral, ku një pjesë e mirë e të cilave s’arrijnë ta kapërcejnë atë, duke mbetur kështu jashtë dyerve të parlamentit.
Lidhur me këtë fakt, ekspertët e çështjeve zgjedhore propozojnë disa alternativa për hartimin e një Reforme Zgjedhore gjithëpërfshirëse ku këtë herë të mos penalizohen partitë e vogla dhe t’i jepet fund praktikës së votave të shkuara dëm.
Një alternativë sipas ekspertit për çështjet zgjedhore Kristaq Kume, është dhe reduktimi i qarqeve nga 12 në 6, por edhe në 4 opsion ky i artikuluar dhe pak ditë më parë në tryezën që zhvilluan partitë e opozitës.
Juristi dhe ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume jep dhe një alternativë tjetër e cila ndryshe nga e para nuk kërkon ndryshimin e Kushtetutës, por mbështetet tek i njëjti sistem që kemi aktual, ai proporcional rajonal. Nga 12 qarqe që janë, të shtohet dhe një i 13-të që të quhet njësi administrimi më vete. Dhe që ky qark të shërbeje si qark për marrjen e votave si partitë e vogla dhe ato të mëdha që nuk kanë fituar numrin e nevojshëm për t’u përfaqësuar në Kuvend.
Por, me nisjen e punës për Reformën Zgjedhore partitë politike duhet të shohin edhe Kodin Zgjedhor duke u bazuar në 27 rekomandimet e dala nga OSBE-ODIHR në 2 proceset zgjedhore të fundit në vend. Pika e nxehtë që ka shkaktuar jo pak polemika mbetet çështja e kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkaq, mazhoranca është shprehur përmes kryeministrit Sali Berisha se është i gatshëm të marrë në shqyrtim çdo propozim të socialistëve për reformën zgjedhore, duke parashikuar kështu edhe ndryshimin e sistemit. Por kur kanë kaluar 5 muaj nga zgjedhjet e kaluara dhe më shumë se 2 muaj nga publikimi i raportit të OSBE/ODIHR, i cili ndër të tjera i bën thirrje partive politike të nisin bashkëpunimin për hartimin e Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të vetë OSBE/ODIHR, Partia Socialiste heziton të nisë raportet e bashkëpunimit konstruktiv me shumicën parlamentare. Hezitimi me reformën zgjedhore është në vijim të qëndrimit destruktiv të Partisë Socialiste në Kuvend, në konstituimin e linjës së bllokimit të ligjeve dhe reformave të integrimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›