E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërimi nga bastet

Sulmuesi i Ipswich Town, Michael Chopra nuk ka stërvitur me ekipin në katër javët e fundit. Nuk bëhet fjalë për një mungesë për shkak të ndonjë lëndimi, por ai është trajtuar për varshmërinë e tij ndaj basteve. 27 vjeçari thotë se futbollistët kanë mjaft kohë të lirë dhe derisa të tjerët e kalonin atë duke luajtur golf, ai bënte baste.

Sulmuesi i Ipswich Town, Michael Chopra është paraqitur në klinikën e rehabilitimit Sporting Chance për të trajtuar varshmërinë e tij ndaj basteve. 27 vjeçari, ish futbollist i Cardiffit, ka kaluar katër javët e fundit në klinikën në Hampshire.

Ai edhe në të kaluarën kishte vuajtur nga problemi i ngjashëm, më së tepërmi gjatë kohës sa ishte në Sunderland më 2008. Menaxheri i Ipswichit, Paul Jewell, tha për BBC Radio Suffolk se sulmuesi do të startojë kundër Millwallit të shtunën.

“Michael ka pasur një varshmëri ndaj basteve për një kohë të konsiderueshme”, tha Jewell. “Ne menduam se ai është duke u përmirësuar, por nuk ishte kështu, andaj me vetëdëshirë është paraqitur në klinikën Sporting Chance pas ndeshjes kundër Brightonit (1 tetor)”, shtoi ai.

Klinika Sporting Chance është krijuar nga ish mbrojtësi i Anglisë dhe i Arsenalit, Tony Adams, për të trajtuar problemet në sjellje, si alkooli, droga dhe varshmëria e basteve te profesionistët, por edhe amatorët që merren me sport.

“Është lehtësim i madh që e gjithë kjo të dalë në shesh. E di se do të bëhem futbollist më i mirë pasi të ballafaqohem me problemet e mia, vetëm do të doja të kisha bërë këtë pesë vite më parë”, tha Chopra për Daily Mail. Chopra, i cili në një rast kishte humbur 15 mijë funte për disa orë duke vënë baste në gara me kuaj, shtoi: “Kur jeni futbollist, keni mjaft kohë të lirë. Disa prej djelmoshave shkojnë dhe luajnë golf, unë vija baste”.

Ndërsa Jewell shpjegoi se: “Ka qenë vështirë për ne të flasim rreth kësaj. Ai nuk ka stërvitur, paraqitej për ndeshje e më pas menjëherë shkonte në klinikë. Tani duket më mirë në kokën e tij. Transformimi në personalitetin e tij është mjaft i qartë për t’u parë. Ne të gjithë duam t’i ndihmojmë atij. Ne do të kishim dashur që kjo të mbetej private, sepse kur del nëpër gazeta mund të bëhet edhe më keq, por ai deshi të ballafaqohet me varshmërinë e tij”.

“Michael është duke u munduar të përmirësojë jetën e tij. Jam i sigurt se me përkrahjen e ekipit, ekspertët dhe ata që janë vërtetë të rëndësishëm, tifozët, ne mund të kemi një futbollist edhe më të mirë. Do ta shihni Chopran të shtunën si titullar”, përfundoi Jewell.

Ish reprezentuesi i Kombëtares U-21 të Anglisë, përforcim nga Cardiff që gjatë verës kushtoi 1.5 milionë funte, ka startuar në 12 nga 13 ndeshjet e ligës këtë sezon duke shënuar pesë gola.

Fakte rreth klinikës Sporting Chance

E krijuar më 2000 nga Tony Adams, ish mbrojtësi i Anglisë që vuante nga alkooli. Gjendet në Liphook, Hampshire. Ndihmon sportistët për të shëruar sëmundjet e varshmërisë, përfshirë alkoolizmin, drogën, bastet dhe ushqimin e çrregullt. Në mesin e pacientëve të kësaj klinike përfshihen ish mesfushori i Anglisë dhe Arsenalit, Paul Merson dhe mesfushori i QPR-s, Joey Barton.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›