Për Hysin prioritet, fitorja
Të shtunën dhe të dielën do të zhvillohet xhiroja e dymbëdhjetë e Superligës, në kuadër të së cilës do të luhen disa takime interesante. Ndeshje e fortë pritet të luhet në Kastriot, ku KEK-u do ta sfidojë kampionin aktual Hysin, i cili duket se ka nis të këndellet pas një krize të rezultateve.
Në xhiron e fundit llapjanët i fituan tri pikë të plota në Gjilan, në ndeshjen e parë të tyre nën udhëheqjen e trajnerit të ri, Jusuf Tortoshi. Ky i fundit thotë se motivi në skuadrën nga Merdara tashmë është kthyer pas një serie të zezë.
“Çdo ndeshje është e vështirë. Vështirë do ta kemi edhe ndaj KEK-ut, i cili nuk është në pozitë të mirë dhe do të mundohet të fitojë pikë ndaj nesh. Por, edhe ne do të përpiqemi të luajmë së më mirë. Synojmë një rezultat pozitiv. Fitorja është prioritet kryesor, por edhe barazimi s’do të ishte i keq”, tha Tortoshi.
Mirëpo, bardhezinjtë nuk do ta kenë aq lehtë ta arrijnë objektivin, pasi ‘elektricistët’ vazhdimisht po u shkaktojnë telashe skuadrave më të mëdha, edhe pse ‘aktualisht gjenden në pjesën e poshtme të tabelës.
“Në çdo ndeshje ne do të hyjmë për të nxjerrë rezultat sa më pozitiv që mundemi. Të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe ndaj Hysit. Mirëpo, nuk do ta kemi të lehtë, sepse Hysi ka mesfushën dhe sulmin ndër më të fortin në Superligë. Po ashtu, ka angazhua trajner të ri dhe lojtarët e Hysit do të përpiqen të dëshmohen para Tortoshit, dhe kjo është negative për ne. Por, megjithatë ne do ta japim maksimumin për ta nxjerr një rezultat sa më pozitiv”, deklaroi trajneri i KEK’ut Mentor Miftari.
Po të shtunë Liria do të jetë nikoqir i Dritës, derisa të dielën zhvillohen katër ndeshje tjera, përfshirë derbin e javës mes Prishtinës e Vëllaznimit.
Superliga - Xhiroja e 12-të
E shtunë
Liria – Drita
KEK-u – Hysi
E diel
Gjilani – Lepenci
Besa – Trepça
Trepça ’89 – Drenica
Prishtina – Vëllaznimi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00