E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armando Sadiku: Basti im i madh, Këpuca e artë e Challenge League

/* */

Sulmuesi shqiptar i Lokarnos, Armando Sadiku, ka shënuar shtatë nga 13 golat e realizuar nga ekipi i tij në dhjetë javët e zhvilluar në Challenge League, kategoria e dytë e kampionatit zviceran. Elbasanasi 20-vjeçar është dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës, duke fituar edhe një duel në distancë me uruguaianin me pasaportë spanjolle Mariano Hasell (4 gola). Ish-sulmuesi i Gramozit dhe Elbasanit është njëheësh edhe realizuesi më i mirë i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, teksa ka realizuar katër gola në tri ndeshje, dy kundër Moldavisë dhe dy kundër Polonisë.

Gjatë një interviste ekskluzive për “Telegraf”, Sadiku tregon jetën e tij në Zvicër, koloninë shqiptare te Lokarno, me të cilin luajnë edhe mbrojtësi Klodian Semina dhe mesfushori Enco Malindi. Sadiku është shndërruar në një idhull në qytetin turistik me 15 mijë banorë, ndërkohë që synon të jetë golashënuesi më i mirë i Ligës së Dytë zvicerane. Sadiku e nisi karrierën me me të rinjtë e Elbasanit. Në moshën 17-vjeçare u aktivizua në Kategorinë e Parë me Turbinën e Cërrikut, ku u afirmuasi futbollist, duke shënuar 18 gola në një sezon. Me Gramozin e Ersekës debutoi në Superligë, duke shënuar 9 gola. Më pas, Elbasani, me të cilin luajti 6 muaj, përpara se të transferohej në Zvicër te Lokarno, falë kontakteve të menaxherit Sokol Haxhia, por dhe vlerave të vetë Sadikut.

Armando Sadiku, je në sezonin e dytë te Lokarno e Zvicrës. Vitin e kaluar shënuat 9 gola në 12 ndeshje, duke pasur edhe rendimentin më të mirë në Challenge League. Këtë sezon jeni sërish në ato nivele, 7 gola në 10 ndeshje. Çdo të thotë kjo për një sulmues shqiptar që luan në Zvicër?

Është sezoni i im i dytë te Lokarno. Ndihem si në shtëpinë time. Falë edhe përformancës, por dhe përkushtimit tim, të gjithë më vlerësojnë dhe më respektojnë. Është një klub që po më ndihmon shumë për të ardhmen time, nisur dhe nga fakti se është skuadra ime e parë e huaj.

Je shënuesi më i mirë i skuadrës tende, duke pasur një diferencë të qartë me realizuesin e dytë më të mirë. Sa i vlerësuar ndihesh duke filluar nga trajneri, presidenti dhe tifozët?

Dëshiroj të jem i sinqertë në këtë drejtim. Fakti, që pas përfundimit të sezonit të kaluar, arrita një marrëveshje të re me presidencën, dhe për më tepër me kushte shumë më të mira financiare, si në aspektin sportiv, por edhe në atë private, do të thotë shumë, sidomos për një futbollist 20-vjeçari si unë. Trajneri Davide Morandi është një faktor shumë nxitës. Çdo ditë më këshillon për të punuar më shumë, nëse unë dëshiroj që një ditë të luaj me një ekip më të rëndësishëm. Tifozët nga ana tjetër, më respektojnë jashtë mase. Jam ftuar shpesh nga personalitetet e qytetit të Lokarnos, për të marrë pjesë në aktivitete të shumëllojshme, përfshirë dhe në ato me karakter bamirësie.

Lokarno është një ekip i ri në moshë, ku mbizotërojnë 19-25 vjeçarët. Sa ndikon kjo në performancën e lojës?

Është e vërtetë. Jemi ekipi më i ri në moshë i kampionatit, dhe për këtë në dy vitet e fundit edhe jemi nderuar me një çmim special. Jemi vërtetë të rinj, por që të gjithë luftojmë. E shohim si një mundësi që të shprehim vlerat tona dhe dëshirojmë të largohemi në ekipe më të mëdha. E konsiderojmë një trampolinë të mirë Lokarnon.

Në skuadër janë dhe Klodian Semina dhe Enco Malindi, duke formuar edhe grupin më të madh të te huajve në ekip. Si ndihen ata?

Kur erdhën në filli, si Semina ashtu dhe Malindi, patën vështirësitë natyrale të ambientimit, por tani besoj se me atë që kanë treguar në fushë, kanë marrë vlerësime pozitive si nga trajneri ashtu tifozët. Në Zvicër luan edhe Jahmir Hyka. Ai po bën një sezon të mirë me Luzern. Të gjithë flasin mirë për të.

Edhe pse luajte një gjysmësezoni, kampionatin e kaluar e fitove garën brenda ekipit me spanjollin Mariano Hasell, përsa i përket numrit të golave të shënuar. Edhe në këto dhjetë javët e para, ke shënuar katër gola më shuma. Sa të nxit kjo garë?

Normale që më nxit, por dua të them se, Mariano është miku im më i mirë te Lokarno. Sezonin e kaluar, me golat që shënuam të dy bashkë e ndihmuam ekipin tonë të mbijetonte në Challenge League. Këtë vit, ai ma ka dhënë shumë asistë. Ndihemi mirë kur luajmë bashkë. Mund të them, se e njohim lojën e njëri-tjetrit me symbyllur.

Cili është objektivi i këtij sezoni?

Nëse nuk do të largohem në muajin janar, do të doja të fitoja “Këpucën e artë” të Challenge League në Zvicër. I kam të gjitha mundësitë.

Luan në Zvicër, një shtet që kufizohet me Italinë, Francë, Gjermaninë, atje ku luajnë edhe disa nga lojtarët më të mirë në Europë. A shpresoni se një ditë do të luani në kampionatet e tyre?

Të them të vërtetën kam pasur shumë oferta nga shumë klube, po për çdo gjë do ta vendos bashke me menaxherin tim, Sokol Haxhia. Besoj se shumë shpejt, në merkaton e janarit.

Sadiku, le të kthehemi të Shqipëria U-21. Katër gola në tri ndeshje, dy me Moldavinë dhe dy me Poloninë, Një bilanc i mrekullueshëm...

Po, sigurisht është gjë e mirë kur shënon dhe ndihmon skuadrën të fitojë ndeshjen, ose në të kundërt nuk vlen fare nëse shënon dhe ekipi humbet. Megjithatë, Kombëtarja U-21 ka një grup shumë të mirë dhe ta lehtësojnë punën.

Artan Bushati dha dorëheqjen, dhe tani Shpresat do të drejtohen nga Skënder Gega. Takimi i radhës i eliminatoreve të Europianit ju vendos përballë Rusisë. Si e parashikoni?

Së pari i uroj suksese trajnerit tonë të ri, Skënder Gega. E çmoj për atë që bëri me Kombëtaren U-19. Përsa i përket takimit me Rusinë, duke ditur edhe emrin e kundërshtarit, sigurisht që është një ndeshje e fortë. Gjithsesi, do të mundohem të marrë sa më shumë pikë, sidomos prej ndeshjeve që do të luajmë në Shqipëri. Në vendin nuk duhet të falim askënd.

Kombëtarja e madhe është në prag të rinovimit, ku padyshim këtu përfshihet edhe reparti i sulmit. Besoj se është një nga objektivat e tua të afërta, të qenit pjesë e saj?

Normale, çdo futbollist e mendon që një ditë të veshë fanellën e Kombëtares dhe unë punoj çdo ditë të jem pjesë e saj. Por, kjo arrihet vetëm me punë. Dhe për këtë unë punoj fort.

 
Idhujt e mi, Milito dhe Xheko

Ashtu si të gjithë të rinjtë, edhe sulmuesi elbasanas ka modelin e tij në rrugën që duhet të ndjekë për t’u afirmuar si futbollist. Po cilët janë idhujt e tij? Sadiku: “Janë argjentinasi Diego Milito i Interit dhe boshnjaku Edin Xheko i Mançester Sitit. Dy lojtarë të formatit botëror”

Tifoz i Realit të Madridit

Të paktën në jetë e ka plotësuar gjysmën e ëndrrës së tij. Edhe pse ndoshta nuk mund të luajë kurrë me Reali e Madridit, në fakt, në futboll thuhet “kurrë mos thuaj kurrë”, ai të paktën i ka parë nga afër yjet madrilenë, nga Kristiano Ronaldo te Kaka. “Luajta kundër tyre në Tiranë, kur u përballën me Gramozin”.

Kampion në plejstejshën

Lokarno është një qytet i vogël, me rreth 15 mijë banorë dhe i vendosur pranë një liqeni. “E vizitojnë shumë turistë. Kalohet shumë bukur. Gjithsesi, në kohën e lirë luaj shumë futboll në plejstejshën, së bashku edhe me Enco Malindin dhe Klodian Seminën. Deri tani kam dalë kampion, jam sulmues apo jo?”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›