Duro i dhuron Tiranës finalen e Kupës
Tirana siguron finalen e Kupës së Shqipërisë, pavarësisht humbjes dramatike 3-1 në "Selman Stërmasi" me Elbasanin. Bardheblutë do të jenë rivali i Vllaznisë më 7 maj, falë fitores 3-0 të përpara dy javëve në fushën kundërshtare. Lojtari deciziv edhe në këtë sfidë ka qenë Klodian Duro. Në rezultatin final 4-3 të gjysmëfinales, në favor të Tiranës, Duro ka shënuar plotë 3 gola në portën e Toçit. Në fakt, sipas shifrave, mesfushori është shndërruar në "macen e zezë" të verdhebluve. Kuqeziu ka shënuar edhe tre gola në kampionat në portën e Elbasanit (në barazimin 1-1 në "Ruzhdi Bizhuta" në takimin e javës së shtatë dhe 2 rrjeta në barazimin 2-2 në javën e 18-të në kryeqytet), ndërkohë që nuk ka mundur të mposhtë Toçin vetëm në fitoren 2-1 që Tirana arriti në javën e 25-të. Pra, skuadra e Alimehmetit ka pësuar gjashtë gola në total nga Duro, në pesë përballje ndërmjet kampionatit dhe Kupës. Javë pas jave, kampionët e Shqipërisë janë bërë gjithmonë e më të varur ndaj mesfushorit të kombëtares: ai përcakton ritmin e lojës, drejton manovrat ofensive, shënon dhe ndihmon në fitimin e ndeshjeve. Rëndësia e 31-vjeçarit në skuadrën e drejtuar nga Sulejman Mema është parë edhe në gjysmëfinalen e kthimit të luajtur dje, ku sapo është futur në lojë ka shënuar golin që në fund i dha Tiranës "biletën" për finalen e trofeut të dytë për nga rëndësia në vend. Pjesa e parë e ndeshjes me Elbasanin është mbyllur me avantazhin e miqve, të cilët kanë shënuar me Fjodor Xhafën. Kur kronometri shënonte 43 minuta lojë, vlonjati i ka shpëtuar mbulimit të mbrojtjes dhe pasi ka parë portierin Osmani jashtë portës, lëshon një parabël të pakapshme. Goli i pësuar ka ndezur sirenat e alarmit në stolin bardheblu dhe tekniku Mema fillon të dyshojë për vendimin që të linte jashtë formacionit një pjesë të mirë të titullarëve. "Rrezikuam finalen. Ishte faji im në vendosjen e formacionit, pohoi trajneri. Mund të kishim shkatërruar sezonin". Për këtë arsye, në fillim të pjesës së dytë, ai hedh në lojë Duron dhe mesfushori tregon klasin e lartë vetëm pas 180 sekondave: fiton penallti dhe shënon golin e barazimit të përkohshëm 1-1. Në minutat e mbetura, për Elbasanin kanë shënuar Ardian Nuhiu (69) dhe sërish Xhafa (88), që kanë ndezur shpresat e verdhebluve për kualifikim. Megjithatë, koha nuk ishte në favorin e të besuarve të Alimehmetit, që në sekondat e fundit kanë humbur edhe kontrollin. Në të 90-tën Megelevski del nga loja me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa pas fërshëllimës finale, gjyqtari Ermion Sino i tregon kartonin e kuq edhe kapitenit Mehmeti, i cili ka protestuar ashpër.
Në gjysmëfinalen tjetër, Vllaznia ka fituar përsëri përballë Dinamos, këtë herë me shifrat 3-0. Për të kompletuar tablon e formalitetit, dinamovitët i kanë shënuar "vetë" dy rrjetat e para, pas autogolave të Bejtjas dhe Bodrusiç. Rezultati final i takimit është firmosur nga goli i Jusufit. Në këtë mënyrë, me rezultatin e përgjithshëm 7-0, Vllaznia kualifikohet për në finalen e 7 majit, ku do të ketë përballë Tiranën. Por, kujtimi i humbjes më të fundit me bardheblutë (5-1 në fundjavën e kaluar) dhe forma e shkëlqyer e Klodian Duros (i cili shënoi 3 gola në portën e Grimës), janë arsye që Haxhiosmanoviç të jetë i shqetësuar.
Kupa e Shqipërisë
GJYSMËFINALET
Tirana-Elbasani 1-3 (3-0)
Duro 48‘ (11m) / Xhafa 43‘, 88‘, Ard. Nuhiu 69‘
Dinamo-Vllaznia 0-3 (0-4)
Bejtja 25‘ (ag), Bodrusiç 83‘ (ag), Jusufi 91‘
FINALJA
Vllaznia-Tirana 7 maj