Zjarret në Fier, 4 në pranga, 4 hetohen të lirë
Fier- Policia e Fierit ka vënë në pranga 4 persona për zjarret në këtë zonë, ndërkohë që 4 të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë. Sipas burimeve policore mësohet se 2 nga të ndaluarit janë në akuzë për zjarret në zonën e Darzëzës, në të cilën pati edhe problemet më të mëdha në këtë rreth.
“Shefqet Agalliu, 61-vjeç dhe djali i tij, Shkëlqimi u arrestuan nën akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr, në Darëzezë”- thanë burimet policore, duke shtuar se ata janë banorë të të njëjtit fshat.
Jonuz Muçaj, 38-vjeç u ndalua në Klos të Mallakastrës, sepse shkaktoi djegien ë një parcele me ullishte dhe të një stani me bagëti. “Edhe mbi këtë rëndon e njëjta akuzë me të ndaluarit e parë”- thanë burimet e policisë së Fierit.
I ndaluari i katërt është nga Peshtani. “Shtetasi Haxhi Duraj, 67-vjeç i vuri zjarrin një are me hamull, por ai përparoi dhe për pasojë u dogj masivi me pisha në këtë zonë”- theksuan burimet.
Ndërkohë 4 persona të tjerë janë në ndjekje të lirë për zjarret që ranë në Darëzezë të Fierit. Sipas policisë nën hetim janë Rrahim Lushaku, inspektor i policisë pyjore në Darëzezë; Xhezmir Tafa, vrojtues; Pullumb Shukulli dhe Adem Biba, specialist në drejtorinë e Emergjencave në Dërmënas.
Vlore, 4 te arrestuar per zjarret Vlorë- Ka shkuar në 4 persona numri i të arrestuarve për zjarrëvënie të qëllimshme në rrethin e Vlorës. Pas arrestimeve të djeshme, zjarrvënia ka mbërthyer në pranga sot në mbrëmje edhe dy persona të tjerë.
Sipas burimeve të policisë lokale mësohet se janë arrestuar Klemend Rrapushi, 24-vjeç dhe Bari Lamaj, 49-vjeç për vënien e zjarrit nga pakujdesia në zonat e tyre.
Vatrat e shumta të zjarrit, si dhe dëmet që ka shkaktuar ai, kanë intensifikuar punën e policorëve për identifikimin e autorëve dhe personave përgjegjës për këto situata. Sipas zëdhënëses së drejtorisë së policisë së Vlorës Rezarta Leli, Rrapushi 24-vjeç nga fshati Oshtimë, ka qenë duke pastruar ullishten në pronësi të tij, por era ka bërë që zona e zjarrit të shtrihej më gjerë nga çfarë ka synuar i riu.
Pas kësaj zjarri ka përparuar duke u përhapur në përmasa të mëdha dhe shkatërruar 5 dynymë tokë të mbjella me ullinj. “24-vjeçari nga Oshtima është vënë në pranga me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr nga pakujdesia”- tha Leli.
Po në pranga është vënë dhe Bari Lamaj 49-vjeç, lindur e banues në fshatin Trevllazër. Ai ka qenë duke pastruar kullotën, në vendin e qujatur Shamogjin, duke i vënë zjarrin sipërfaqes dhe nga dalja jashtë kontrollit e vatrës janë djegur 10 dynymë tokë frutore.
Komision për vlerësimin e dëmeveVlorë- Dëmet e shkaktuara në Orikum dhe Fushë dukat cilësohen të konsiderueshme nga autoritete të njësisë së vendorit në Orikum, të cilët dje kanë ndjekur në terren gjithë situatën.
Ende nuk ka një shifër të saktë të këtyre demëve, por më e rëndë është situata për dy prej familjeve në Fushë Dukat.
Një komision vlerësimi ka qenë zgjidhja e parë emergjente që është ndërmarrë nga bashkia e Orikumit. Nënkryetari i kësaj bashkie Esat Imeraj, pohon se ky komision vlerësimi do të marrë përsipër edhe gjetjen e mundësive për ndihmë për familjet e pastreha.
Ndërkohë pritet që po ky komision vlerësimi të japër zyrtarisht një shifër për dëmtimet që rezultuan nga zjarri në Orikum dhe Fushë Dukat. Një fabrikë uji është djegur thuajse tërësisht, ndërsa të pabanuara janë kthyer dy shtëpi, të cilat kanë pësuar dëmtim total nga flakët. Ndër sipërfaqet e djegura janë ato me vreshta, pemë frutore, ullinj e të tjera të mbjella në zonat e Orikumit dhe Fushë Dukatit.
Personat përgjegjës
Dy të moshuar janë cilësuar përgjegjës për zjarret që ranë dje në Orikum dhe Fushë Dukat. Personat mbi 70-vjeç akuzohen për shkatërrim të pronës me zjarr, ndërkohë që kanë pohuar se nuk kanë vepruar me dashje. Për zjarrvënien në Fushë Dukat është i akuzuar 72-vjeçari Qerim Celoaliaj, i cili është vënë në pranga në kushtet e flagrancës.
Mësohet se i moshuari ka qenë duke djegur mbeturina, pasi synonte të pastronte arën e tij me grurë. Por era ka ndihmuar përhapjen e flakëve të zjarrit dhe gjithçka shumë shpejt ka dalë jashtë kontrollit. Flaka është përhapur me shpejtësi shumë të madhe duke u shpërndarë në zonën e fshatit Fushë Dukat.
Për zjarrin e zonës te vendi i quajtur Pjeshkorja në Orikum, është arrestuar 71-vjeçari Gjikoka. Sipas policisë edhe ai ka kryer të njëjtën procedurë brenda zonës së arës së vet, ndërsa era e fortë ka bërë që zjarri të rrezikonte banesat që janë në këtë kodër. Një stan është djegur tërësisht brenda kësaj zone, dhe bashkë me të me dhjetra rrënjë ullinj e pemë frutore.
Korçë, digjet 2 ha me grurëKorce- Janë djegur sot rreth orës 12:00 mbi 2 hektarë të mbjella me grurë në fshatin Dritas të rrethit të Korçës. Shkak është bërë shkëndija e autokombajnës teksa po punonte në fushën me grurë. Ka mjaftuar vetëm ajo shkëndijë që në pak minuta e gjithë fusha të përpihej nga flakët. Bashkë me të është djegur dhe autokombajna. Fatmirësisht ka mundur të shpëtojë vetë kombajneri dhe banorët përreth kombajnës. Tre ditë më parë në po këtë fshat u dogjën rreth 10 ha sipërfaqe të mbjella me grurë.
GjirokasterSot në mesditë një vatër e re zjarri është shfaqur në zonën e Gjirokastrës. Zjarri ka rënë mbi fshatin Grapsht në zonën e Dropullit në Gjirokastër. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe kullosore ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikës të mbështetur nga policia dhe banorë të zonës të cilët po punojnë në shuarjen e flakëve. Mendohet që zjarri të jetë aksidental dhe nuk flitet për zjarrvënie të qëllimshme. Sipas burimeve zjarri nuk rrezikon shtëpi është larg zonës së banuar.
Zjarret vazhdojne Situata alarmante e një dite më parë për shkak të zjarreve të rënë në shumë vende të Shqipërisë vazhdon të jetë edhe sot në zonën e Semanit ne Fier dhe Orikumit ne Vlore. Sipas burimeve vatra të tëra zjarri janë riaktivizuar duke vënë në rrezik shtëpitë e banorët.
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave informoi se për shuarjen e dy vatrave aktive po operon nga ajri një avion canader nga Italia. Ndërhyrja nga ajri ka qenë e domosdoshme për shkak të terrenit të vështirë dhe dendësisë së pyjeve. Avioni ka një kapacitet ujëmbajtës 6 mijë litra në çdo fluturim. Ai mund të furnizohet në det, liqen, apo vende të tjera, thellësia në të cilat duhet të jetë 1 metër. Nderkohe kreu i Drejtorisë së Emergjencave Civile, Alfred Olli, ka pohuar dje në mbrëmje se situata e zjarreve është përkeqësuar nga fakti që ato janë në një terren malor tepër të vështirë. Ai shpjegoi se gjatë pasdites së djeshme i është kërkuar ndihma palës greke për të vënë në dispozicion dy helikopterë për të shuar flakët. Mësohet se i gjithë brezi me pisha në zonën e Darzezës është shkrumbuar edhe pse zjarrfikësit po bëjnë të pamundurën. Sipas policisë, ende nuk është bërë i ditur shkaku i kësaj ngjarjeje, ndërkohë që Olli thotë se ka dyshime për vendosje të qëllimshme të zjarrit.
Dita e djeshme
Tmerr dhe panik në zonën e Darzezës në rrethin e Fierit teksa flakët e zjarrit kanë përpirë tre shtëpi dhe kanë detyruar autoritetet lokale të evakuojnë banorët e zonës. Burimet pohojnë se janë rreth tre mijë banorë dhe turistë të evakuuar nga zona që është ende nën kontrollin e plotë të flakëve. Flakët e zjarrit kanë përparuar deri në buzë të detit ku kanë dëmtuar disa lokale. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes pohuan dje për “Shekullin” se janë parë dhjetëra pushues që ndodheshin buzë detit, të largohen të tmerruar me vrap duke lënë pas edhe sendet personale. Deri në orët e vona të natës situata në Darëzezë të Fierit ka qenë kaotike duke vazhduar të përpijë pyjet me pisha të thata. Dyshimet e para janë se zjarri ka qenë i qëllimshëm, madje policia ka arrestuar një person.
Fshati
Zjarri në Fierka nisur rreth orës 14.30 dhe për pak minuta është kthyer në tmerrin e zonës. Fillimisht flakët janë parë në zonën e Semanit dhe më pas janë shtrirë edhe në Darzezë. Në këtë pikë zjarri është bërë shumë problematik. Flakët e para janë vënë re në një pyll afër këtij fshati por era e fortë ka bërë që brenda një kohe shumë të shkurtër i gjithë pylli të kthehet në një vatër gjigante ndërsa një re e zezë të mbulojë të gjithë fshatin. Dëshmitarë okularë pohuan se flakët kanë përpirë brenda pak sekondash dy shtëpitë e para të fshatit. Banorët janë larguar me nxitim ndërsa flakët kanë prekur edhe një shtëpi të tretë. Dhjetëra njerëz janë parë të vraponin për t’i shpëtuar të paktën asfiksimit. Në dy banesat e para flakët kanë shkrumbuar edhe kasollet e bagëtive duke bërë që këto të fundit të lëshoheshin nëpër rrugë duke u përpjekur t’i shpëtonin zjarrit. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë pohuar se flakët kanë prekur edhe një repart ushtarak dhe nga ky vend janë dëgjuar të shpërthejnë municione të lehta.
Plazhi
Por flakët, të ndihmuara edhe nga era e fortë kanë përparuar drejt plazhit. Në këtë moment, në buzë të detit ndodheshin dhjetëra pushues, të cilët kanë rënë në panik. Disa lokale dhe hotele buzë detit janë prekur nga flakët, të cilat kanë djegur ambientet e jashtme si dhe sende të tjera që ishin për argëtimin e fëmijëve. Për fat të mirë, pronarët e lokaleve kanë arritur që të mbajnë zjarrin jashtë ambienteve të brendshme. Por flakët kanë bërë që plazhistët të tmerroheshin dhe të nisnin të vraponin në drejtim të detit, i cili në ato momente ishte streha e tyre e vetme. Ata janë larguar me aq shpejtësi sa në disa raste kanë lënë pas edhe sendet personale. Në fund të ditës nuk është raportuar asnjë i dëmtuar nga zjarri. Të gjithë banorët e zonës por edhe plazhistët janë evakuuar nga organet kompetente për të parandaluar ndonjë tragjedi të mundshme.
Dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme
Teksa zjarri po përparonte me shpejtësi duke djegur rreth 30 ha pyll me pisha, aty kanë mbërritur zjarrfikëset, por as ato nuk kanë mundur që të bëjnë shumë përpara flakëve. Uji i lëshuar me vrull prej tyre arrinte që të shuante zjarrin për pak çaste por sërish shpërthenin flakët. Dhjetëra pisha e shkurre janë kthyer brenda pak minutash në prush të nxehtë duke krijuar një situatë më të vërtetë të rrezikshme dhe alarmante. Duke parë situatën, kanë ardhur në ndihme pesë zjarrfikëse nga Ballshi dhe nga Albpetroli. Në Seman situata është marrë në duart e zjarrfikëseve por edhe aty ka pasur dëme në pyllin me pisha. Një grup hetimor ka filluat të gërmoje për të gjetur shkaqet e vërteta të zjarrit dhe deri tani janë ngritur dy versione. I pari ka të bëjë me një pakujdesi ndërsa i dyti është se zjarri mund të jetë vënë nga banorët e zonës, të cilët kanë konflikte për disa hapësira toke. Vlore
VLORË- Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në orët e para ditës së djeshme në Orikum, në zonën e quajtur Kodra e Pjeshkores. Shumë shpejt zjarri ka përparuar në gjerësi dhe në gjatësi duke djegur dhjetëra hektarë tokë pyjore dhe bujqësore. Flakët e zjarrit kanë përfshirë dhe disa shtëpi të ndërtuara në faqe të kodrës. Situata është bërë tepër e vështirë disa minuta më pas për shkak të terrenit të thyer ku zjarrfikëset nuk mund të hynin. Në ndihmë të situatës kanë ndërhyrë dhe banorët rreth zonës dhe ushtarë të repartit ushtarak të Pashalimanit, të cilët janë përpjekur të fikin zjarrin me te gjitha mjetet e mundshme. Nuk kanë munguar zëra të banorëve të zonës se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ku mendohet se ai është vënë edhe prej pronarëve te tokave aty pranë të cilët janë në konflikte interesi ndërmjet njeri tjetrit. ***Zjarri është ndihmuar së tepërmi nga era e fortë dhe e ngrohtë. Deri edhe shtëpi janë përfshirë nga flakët ku dy prej tyre janë djegur plotësisht ndërkohë që dëm te konsiderueshëm zjarri ka bërë dhe me djegien e një stani që përdorej nga banorët e fshatit, ndërkohe qe janë rrezikuar dhjetëra të tjerë. Të gjitha mjetet e zjarrfikëses janë vënë në veprim për të mbajtur nën kontroll flakët dhe shuar zjarrin, i cili është normalizuar në periferi të Orikumit dhe ka përparuar me shpejtësi marramendëse drejt qendrës së tij. Nuk ka njoftime për të lënduar nga zjarri dhe pse me përhapjen e flakëve, shqetësimi ka ardhur duke u rritur. Ndërkohë që dy vatra të tjera janë konfirmuar jo shumë larg kësaj zone, por ndërhyrja në kohë ka bërë që ato të shuhen pa u bërë problematike. Për orë të tëra flakët e zjarrit kanë qenë deri tragjike, teksa kanë mbetur në mes të katër rrugëve banorë që iu janë djegur shtëpitë. ***Një tjetër situatë paraqitet në fushë Dukat ku ndihet era e djegur, por peizazhi është edhe më keq. E zeza e së djegurës ka veshur një sipërfaqe të konsiderueshme. Fusha të tëra, të mbjella me pemë janë përzhitur. Një fabrikë uji është djegur pothuajse tërësisht, ndërsa të pabanuara janë kthyer dy shtëpi, të cilat kanë pësuar dëmtim total nën djegien e plotë. I dëmtuar nga plagët është Qani Mëhilli, i cili teksa ka parë flakët është drejtuar pranë fabrikës dhe ka nxjerrë prej andej makinat me gaz, duke evituar një tragjedi edhe më të rëndë, nga shpërthimi i mundshëm i gazit brenda fabrikës së ujit. Zjarri ka përparuar shumë shpejt duke përfshirë një sipërfaqe shumë të madhe. Flakët janë ndihmuar nga era e fortë dhe shumë shpejt vatra ka marrë përmasa shumë të mëdha. Askush nuk jep një sipërfaqe të saktë për dëmin. Por së bashku me zonën e Pjeshkores në Orikum janë sipërfaqe mbi 500 ha e djegur. Këtë herë banorët janë përfshirë tërësisht në shuarjen e flakëve, ndërsa mjetet zjarrfikës nuk kanë ndihmuar dot më tepër, për shkak të shpërndarjes në dy vatra të konsiderueshme zjarri. Të parët janë evakuuar fëmijët, të cilët janë hequr për shkak të situatës tepër të rëndë. Të dy vatrat e zjarrit janë vetëm disa kilometra larg nga njëra tjetra, ndërsa zjarri ka nisur te secila në mënyrë të pavarur.
Vatra pranë Llogorasë, një ditë më parë
Një zjarr i rënë në afërsi të parkut të Llogorasë ka vënë në rrezik zonën e mbrojtur, duke tentuar përsëritjen e situatës së një viti më parë për parkun kombëtar. Vatrat e zjarrit janë bërë të dukshme në faqen e malit të Cikës, dy mbrëmje më parë, ndërsa era që ka nisur në orët e mbrëmjes ka shtyrë flakët drejt parkut. Sipërfaqja e djegur është rritur, por afrimi i flakëve drejt parkut ka rritur alarmin. Punonjës të pyjores kanë zbarkuar në zonën pranë Llogorasë, si dhe në gatishmëri janë vënë zjarrfikës e punonjës të ushtrisë për çdo situatë të mundshme. Terreni i zonës nuk ka mundësuar afrimin e mjeteve drejt saj për të shuar flakët, apo ndërhyrje tjetër. Siç mësohet janë djegur në këtë zonë një sipërfaqe e konsiderueshme, përfshi edhe pemë, vatra të cilat kanë vijuar edhe orët e para të mëngjesit. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, i cili ka qenë rrezik serioz për zonën e Llogorasë. A. P
ArrestimetNë pranga në orët e mbrëmjes janë vënë dy të moshuar.
VLORË- Për zjarrvënien në fushë Dukat është i akuzuar 72- vjeçari Qerim Çeloaliaj i cili është vënë në pranga në kushtet e flagrancës. I moshuari ka qenë duke djegur mbeturina, pasi synonte të pastronte arën e tij me grurë. Era ka ndihmuar përhapjen e flakëve të zjarrit dhe gjithçka shumë shpejt ka dalë jashtë kontrollit. Flaka është përhapur me shpejtësi shumë të madhe duke u shpërndarë në zonën e fshatit Fushë Dukat. Për zjarrin e zonës tek vendi i quajtur Pjeshkorja në Orikum, është arrestuar 71- vjeçari Gjikoka. Sipas policisë edhe ai ka kryer të njëjtën procedurë brenda zonës së arës së vet, ndërsa era e fortë ka bërë që zjarri të rrezikonte banesat që janë në këtë kodër. Një stan është djegur tërësisht brenda kësaj zone, dhe bashkë me të me dhjetëra rrënjë ullinj e pemë frutore. A. P
RRËFIMINë familjen e Feti Ferrunit, të cilit nuk i kanë mbetur më as rrobat e fëmijëve. Zjarri dogji çfarë gjeti përpara“Si na u dogj shtëpia para syve”
VLORË- Në shtëpinë e 42- vjeçarit Feti Feruni, gjendja është dramatike. Darka ka mbledhur në oborr disa kushërinj të tij. Po kështu të afërm të tjerë vijnë si dhe fqinj. Shtëpia e tij njëkatëshe është djegur tërësisht. Në të katër dhomat gjen vetëm shkrumb, si dhe katër muret rrethuese të djegura. Ca plaçka të nxjerra përjashta, edhe ato të shkrumbuara, ndërsa e zonja e shtëpisë Alida, shkon sa andej këtej, pa ditur çfarë të bëjë. Një llambë e vendosur në ambientet e jashtme vetëm sa për të parë, pasi brenda është djegur gjithçka. Nuk ka asnjë pjesë të mbuluar nga shtëpia. Së bashku me shtëpitë e 42- vjeçarit, është djegur edhe shtëpia e vëllait të vet, emigrant në Greqi, si dhe e nënës, të gjitha shumë pranë njëra-tjetrës. “Ka 15 vjet në Greqi thotë ai për të vëllanë dhe gjithçka e kishte në këtë shtëpi. Ajo tani nuk ka as muret”. Kryefamiljari nuk i mban dot lotët. “Kam vetëm fëmijët, edhe ata tashmë shiko tregon ai, dy nga djemtë e tij 11-vjeçarë. Tani nuk kanë as kanotiere. Brenda në shtëpi kisha jo vetëm plaçkën tregon ai, por edhe lekët që sapo kisha marrë nga tregtia që merrem”,- thotë ai. 42-vjeçari tregon se kishte një plantacion me 1000 rrënjë pjeshkë së bashku me një stallë derrash, fryti i punës së të cilave tashmë është djegur tërësisht. Gruaja Alida tregon se ka qenë në gjumë në momentet e zjarrit dhe sa ka ndjerë ka dalë së bashku me katër djemtë e saj, më i vogli i të cilëve është dy vjeç. Nuk e morëm vesh si u ndodhëm në mes të zjarrit tregon ajo. Ishin çaste tmerri. Gjithçka mbaroi brenda 15 minutave, ku zjarri përfshiu çfarë gjeti përpara. Mirë që më shpëtuan fëmijët”, tregon ajo, dy prej të cilëve, më të vegjlit i ka çuar te të afërmit. Te familjarët ka dhimbje, ngrënë supet për tu strehuar, ndërkohë që nata e djeshme i ka mbërthyer aty te gërmadhat e shtëpive të mbetura. “Erdhën nga pushteti lokal, tregon 42- vjeçari, na thanë se do t’ju ndihmojmë sa kemi mundësi, por tani aktualisht jemi në mëshirë të fatit”.