E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr mes të rinjsh, plagoset 18-vjeçari

Shkodër- Një grindje mes të rinjsh ka përfunduar me plagosjen me thikë të të një 18-vjeçari nga Malësia e Madhe. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në një rrugicë që është duke u rikonstruktuar, në afërsi të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja. Ermal Hebaj, 18-vjeç, ka qenë duke ecur në këmbë kur përpara i ka dalë 16 vjeçari B.M, i cili ka zbritur nga automjeti i tij. Të dy të rinjtë kanë nisur të debatojnë, dhe sipas dëshmitarëve okularë konflikti mes tyre duhet të ketë nisur më parë dhe në atë moment ata janë ritakuar. Ndërsa grindeshin dhe shkëmbenin sharje, 16-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe me të ka goditur 18-vjeçarin Hebaj. Ky është përpjekur të shmanget dhe ndërhyrja e kalimtarëve të shumtë ka bërë që autori të largohet me shpejtësi duke vrapuar dhe duke braktisur dhe mjetin në të cilin ai ndodhej më parë, një autoveturë tip Benz, me targë SH 9656 D, ngjyrë e bardhë. I plagosuri Ermal Hebaj është dërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve të këtij spitali, 18-vjeçari Hebaj ka humbur shumë gjak, por plaga e marrë nuk ka prekur organet jetësore dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari është djali i ish kryetarit të PS-së, së Malësisë së Madhe, Isuf Hebaj. Autori i ngjarjes është kapur nga policia në afërsi të banesës së tij në lagjen Ndocaj, së bashku me thikën me të cilën ka qëlluar Ermal Habajn.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›