E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi për pronat në Tiranë, plagosen rëndë dy persona

Gjithçka ka ardhur pas një sherri të momentit mes një grupi personash. Debati ka degjeneruar deri në përdorimin e sendeve të forta, madje dyshohet dhe për thika. Ngjarja ndodhi dje në zonën pranë ish-Ekspozitës në Tiranë, kur dy persona kanë mbetur të plagosur pas një sherri, që mendohet se ka ndodhur për motive pronësie, ndërkohë që autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, dje rreth orës 09.30, në afërsi të Gjykatës së Shkallës së Parë, janë plagosur me sende të forta dy persona. Menjëherë shkuan shërbimet policore, grupi i posaçëm hetimor, me synim për të kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, identifikimin e autorëve, si dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje. Nga veprimet e para hetimore të kryera rezulton se të dëmtuar janë Petrit dhe Shpëtim Tresa, respektivisht të moshave 52 dhe 30 vjeç. Burimet policore shpjeguan se pas daljes nga një seancë gjyqësore për çështje pronësie, në konflikt me një familje tjetër, papritur janë goditur me sende të forta në kokë nga tre persona. Menjëherë të dëmtuarve iu dha ndihma mjekësore, të cilët u dërguan në Spitalin Ushtarak, ku Petrit Tresa ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Shpëtim Tresa aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka nisur punën për identifikimin e autorëve të mundshëm të ngjarjes. Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se të dyshuarit e ngjarjes janë Luan, Aleksandër dhe Vladimir Harizi. Kështu, uniformat blu kanë nisur punën për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Familjet e përfshira në konflikt janë nga fshati Baldushk i rrethit të Tiranës dhe mesa duket kishin zbritur në qytet për t‘iu drejtuar rrugës gjyqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›