E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri i Omonia-s nxjerr skandalin e vizave

Korçë, akuzat mes konsullatës greke dhe kreut të organizatës zbulojnë aktivitetin ilegal

Plas skandali i vizave në Korçë. Kryetari i “Omonia”-s, Spiro Lici, akuzohet për abuzime me vizat greke, gjë që ka çuar deri në përleshje mes dy grupimeve të krijuara brenda shoqatës së minoritetit grek dhe i ka detyruar forcat policore të ndërhyjnë e të shoqërojnë disa persona.

Ka qenë një shkresë zyrtare nga ana e Konsullatës Greke në Korçë, ku sugjerohej largimi nga kryesimi i “Omonia”-s i Spiro Licit, që është bërë shkak për sherrin brenda “Omonia”-s, ku janë shfaqur dy grupime dhe ka nisur përçarja. Kërkesa për të shkarkuar kryetarin Spiro Lici është bërë shkak për sherrin në zyrat e “Omonia”-s, kur me një shkresë zyrtare të lëshuar nga konsullata greke drejtuar “Omonia”-s është kërkuar largimi i kryetarit Spiro Lici, ndërkohë që në vend të tij është caktuar Naum Disho.

Sherri ka çuar në shoqërimin nga ana e policisë të përfaqësuesve të kësaj shoqate, ndërkohë që kreu i “Omonia”-s, sipas kryetarit të ri, ka kryer abuzime në emër të konsullatës greke. çdo gjë ka ndodhur përpara një mbledhjeje që ishte planifikuar të zhvillohej në orën 16:00 të ditës së djeshme. Rendi i ditës ishte shkarkimi i kryetarit të “Omonia”-s dhe zëvendësimi i tij nga Naum Disho deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Përplasja ka ndodhur në orën 10:00 të mëngjesit, kur i vënë në dijeni për shkarkimin e pritshëm, kreu i “Omonia”-s, Spiro Lici, ka shkuar në zyrë dhe ka marrë vulën, dokumentet dhe pajisjet për t’i hequr nga ambientet. Lici ka mundur të tërheqë nga zyra vulën dhe dokumentet bashkë me pajisjet, por në këto momente ka nisur sherri mes palëve dhe nga ana e Naum Dishos është kërkuar ndërhyrja e policisë që ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Ka pasur disa ankesa që kanë ardhur nga ana e qytetarëve të Korçës ndaj kryetarit të “Omonia”-s për abuzime. Ka dokumente komprometuese që tregojnë abuzime të rënda. Sipas ankesave të qytetarëve, Spiro Lici kërkonte para, duke premtuar nxjerrjen e vizave greke. Për këtë ne vumë në dijeni konsullatën dhe kjo e fundit, pasi kishte konstatuar abuzime të ndryshme dhe jo vetëm me viza nga ana e kryetarit, ka dërguar një shkresë në përgjigje të asaj që ne e vumë në dijeni. Për këtë ne ngritëm një komision dhe do të bënim shkarkimin e kryetarit dhe zëvendësimin e tij, por ai u paraqit në zyrë për të marrë materialet dhe ne e bllokuam në kohë, pasi sinjalizuam policinë”, thotë Naum Disho, kryetari i ri i caktuar nga “Omonia” pas konstatimit të abuzimeve me vizat të kreut të shoqatës. Nga ana e tij, Spiro Lici e konsideron të padrejtë ndërhyrjen e konsullatës greke. Ai thotë se nuk ka asnjë pikë në statut që njeh emërimin apo shkarkimin e kryetarit nga konsullata dhe për këtë është ankuar te kreu Vasil Bollano. “Ka disa ditë që bëhen sherre për këtë çështje. E para, unë jam kryetar i zgjedhur për dy vjet dhe askush nuk ka të drejtë të më heqë pa u bërë zgjedhjet e reja. E dyta, më ka ardhur një shkresë nga konsullata më datë 11 mars, ku kërkohet shkarkimi im dhe ndërhyrja e konsullatës është e paligjshme dhe e padrejtë. Se çfarë interesash luhen, nuk e di, por pretendimet që ngrihen nuk qëndrojnë”, thotë Spiro Lici, kryetari i “Omonia”-s. Brenda “Omonia”-s janë krijuar tashmë dy grupe që janë përkrahës të dy palëve në krye të saj. Por sipas të dhënave ka abuzime të shumta nga ana e kreut, që janë konstatuar në bazë të ankesave të qytetarëve, të cilët, pasi kanë paguar shuma të caktuara për viza greke dhe dokumente, nuk kanë marrë shërbimin dhe as lekët nuk ju janë kthyer mbrapsht. Personat që janë ankuar, janë pyetur edhe nga ana e policisë lidhur me këtë mashtrim me vizat greke. Për faktin se aktet e zyrës po largoheshin, është kërkuar ndërhyrja e policisë, e cila pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje të palëve ka lënë që dokumentet e nxjerra jashtë zyrës të futen sërish aty ku kanë qenë për t’iu nënshtruar më pas kontrollit dhe hetimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›