Krujë, policë nga Durrësi për protestën
LEZHË Protestues të Partisë Socialiste të ardhur nga qarqet veriore të vendit, së bashku me deputet e kësaj partie, kanë bllokuar sërish rrugën nacionale që lidh Veriun e vendit dhe Kosovës me Tiranën. Protestuesit janë mbledhur rreth orës 16.00 në hyrje të urës së Fushë-Krujës, rreth 200 metra në veri të urës së Fushë-Krujë dhe pasi kanë bllokuar rrugën, kanë lëvizur në drejtim verior nëpër rrugën nacionale Fushë-Krujë-Mamurras, për t’u bashkuar më pas edhe me deputetet e qarkut të Shkodrës: Ilir Beqja, Paulin Sterkaj, Tom Doshi; deputetët e Qarkut të Lezhës: Gjovalin Kadeli, Armando Prenga, Ndrec Deda; deputetet e Qarkut të Durrësit: Gazmend Bizhga. Turma e protestuesve ka bllokuar trafikun duke mos lejuar asnjë makinë të lëvizë në drejtim të veriut të vendit dhe anasjelltas. Policia e Krujës është përforcuar edhe me forca të policisë së Durrës, të cilët kanë vëzhguar protestuesit, por nuk kanë ndërhyrë në asnjë moment. Lëvizja e mjeteve është devijuar nga ana e policisë në drejtim të rrugës nacionale të vjetër, për të mos penguar kalimtarët, me përjashtim të mauneve me tonazhe të mëdha. Protestuesit pas 45 minutash bllokimit të rrugës kanë marrë disa goma të përdorura, duke u vënë flakën në mes të rrugës dhe djegur ato plotësisht. Pas rreth dy orësh kanë qenë deputet e PS-së së tre qarqeve që kanë shpërndarë protestuesit paqësisht pa krijuar asnjë incident.