Pretenca, 18 vjet burg për shoferin grek që shkaktoi 9 viktima
FIER- Organi i akuzës, Prokuroria Fier, ka kërkuar 18 vjet burg për shtetasin grek, Thoma Tsokas, shofer i autobusit, që shkaktoi tragjedinë e Fratarit në nëntor të vitit të kaluar.
Seanca e radhës është zhvilluar në mesditën e së hënës, në ambientet e kësaj gjykate. I akuzuari për këtë tragjedi, shtetasi Tsokas, nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit. Në emër të tij, ai ka prokuruar për përfaqësim palën mbrojtëse, avokat Zenun Hadërmataj. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Nafije Curri, Taulant Banushi dhe Piro Sota, kanë pasur përballë tyre palën mbrojtëse avokat Zenun Hadërmataj dhe palën e akuzës, prokurorët Genci Mane dhe Çlirim Sino
Pretenca
Seanca e djeshme ka zgjatur vetëm 30 minuta. Trupi gjykues i ka dhënë fjalën përfaqësueseve të akuzës, të cilët kanë lexuar dhe pretencën. Ata kanë bërë një përshkrim të gjithë ngjarjes, duke u ndalur hollësisht dhe në provat e mbledhura për akuzën e ngritur ndaj drejtuesit të autobusit, Thoma Tsokas, për ngjarjen e rëndë të shkaktuar në nëntor të vitit të kaluar. Në fund të fjalës së tyre, prokurorët kërkuan nga trupi gjykues që të marrë parasysh provat e paraqitura, si dhe kërkesën e prokurorisë, për ta dënuar këtë shtetas për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia me 18 vjet burg, dënim që duhet të vuhet në burgjet shqiptare. Trupi gjykues, pasi dëgjoi palën e akuzës caktoi një tjetër seancë gjyqësore në javën e ardhshme, duke ia lënë këtë radhë fjalën palës mbrojtëse, për të paraqitur ajo në këtë seancë argumentet e saj mbrojtëse në diskutimin përfundimtar.
Aksidenti
Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet drejtuesi i mjetit, autobus i linjës Tiranë-Athinë, ka ndodhur në datën 9 nëntor të vitit të kaluar. Autobusi ra në një nga kthesat e fshatit Fratar, duke shkaktuar vdekjen e nëntë shtetasve dhe plagosjen e dhjetëra pasagjerëve të tjerë, që udhëtonin nga Shqipëria drejt shtetit fqinj Greqi. Udhëtarët pretenduan se drejtuesi i mjetit, disa çaste para tragjedisë ka qenë duke folur me telefon. Në seancën e parë gjyqësore, që u zhvillua në gjykatën Fier, në lidhje me vlerësimin e masës së arrestit, drejtuesi i mjetit iu kërkoi falje gjithë familjeve të viktimave, si dhe u shpreh nëpërmjet avokatit të tij, që është goditur në pjesën e pasme të autobusit që ai drejtonte, nga një mjet i tonazhit të rëndë i ngarkuar me tulla, në çastin kur mjetet po shkëmbeheshin me njëri-tjetrin. Autobusi ra në një greminë, me thellësi rreth 100 metra, duke shkaktuar kështu një nga tragjeditë më të mëdha. Për disa ditë rresht, spitalet Fier-Lushnjë dhe Ballsh, u mbushën me të plagosur, të cilët morën ndihmën e parë mjekësore. Ndërsa familjet e viktimave u ndihmuan me një sasi të konsiderueshme të hollash, ndihmë e qeverisë shqiptare, për përballimin e procesit mortor. Prej asaj dite dhe deri më sot, shoferi ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg, në kampin e riedukimit Rrogozhinë, në pritje të përfundimit të hetimeve gjyqësore dhe dhënies së vendimit nga ana e drejtësisë shqiptare, për veprën penale me të cilën ai po përballet.