E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Mos ekzekutimi i kolateralit cënon sistemin bankar

TIRANË-Ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh sot, gjatë forumit të Bankave, se mos ekzekutimi i kolateralit po cënon sistemin e bankave.
"Po marrim masa që të mos lejojmë që faktorë të tjerë të brendshëm të cënojnë sistemin e bankave", u shpreh Bode, ndërsa shtoi se duhet adresuar çështja e garancisë së kolateralit.
Sipas tij, analizat paraprake të BSH flasin për një gamë të gjërë problemesh sa i takon kreditimit dhe kolateralit. Këto lidhen me cilësinë e përmbarimit dhe ekzekutimin e vendimeve, apati në hapat e procesit dhe impakti që ka sjellë mos ekzekutimi i kolateralit bankar.
Sipas Bodes, "impakti ekonomik që ka sjellë mosekzekutimi në kohë dhe me efiçencë i kolateralit bankar është i konsiderueshëm. Pasiguria dhe vonesat në sistemin e ekzekutimit e bëjnë kompensimin për bankat një detyrë gjithnjë e më të vështirë".
"Totali i detyrimit të papaguar nga debitorët shkon në vlerën 20 miliardë lekë. Vlera e kolateralit është dy herë më e lartë se detyrimi dhe ekzekutimi nuk do të përbënte problem", u shpreh Bode, i cili shtoi se "treguesit e performancës së sistemit bankar gjithashtu janë prekur nga mungesa e mosekzekutimit të shpejtë. Kreditë e këqija janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe një rol të konsiderueshëm në këtë tregues ka luajtur pamundësia e bankave për të tërhequr këto garanci, çka do t'u mundësonte atyre fshirjen nga bilancet të kredive të këqija që do të shlyheshin me kolateral".
Ai theksoi se "bankat kanë qenë të pamundura të tërheqin garancitë që do hiqnin nga bilanci kreditë e këqia. Kostoja e financimit në disa sektorë është rritur sikurse krediti i bankave”, tha Bode, ndërsa shtoi se mos ekzekutimi i kolateralit ndikon drejtpërdrejtë tek llogaritë bankare të qytetarëve.
Sipas tij, në një kohë kur kriza globale po shkon drejt uljes së presionit, faktori i jashtëm si ndikues tek bankat ka rënë djeshëm.
Bode gjithashtu ka deklaruar se është me interes ruajtja e një sistemi kredibël, sepse prej kësaj rrjedh përfitimi i dytë i ekonomisë në tërësi, ai i përfitimit më shumë kredi. Sipas tij, sistemi bankar në 5 vitet e fundit financon biznesin privat, ekonominë reale me 45% të prodhimit të brendshëm bruto dhe ka rritur mbi 10 herë në vlerë totale sasinë e kreditimeve që ka bërë për zhvillimin e vendit.

Fullani
Edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, kërkoi sot, gjatë zhvillimit të Forumit Bankar mbi problemet e kredive të pashlyera, ekzekutim të shpejtë dhe në kohë të kolateraleve nga zyrat e përmbarimit.
"Ekzekutimi i kolateraleve mbetet shtyllë e fuqishme për konsolidimin e sistemit bankar", tha Fullani.
Sipas tij, "kreditë e pashlyera këto vite janë rritur 15%, çka tregon se ka pamundësi shlyerje periodike të detyrimeve ndaj bankave". Fullani theksoi se BSH po i kushton vëmëndje bankave në këtë drejtim.

Duke pohuar se nuk mungojnë rastet kur nga pashlyerja e plotë e kredive është kaluar deri në sekuestrim të pasurive në hipoteka, Fullani parashtroi problematikën që shoqëron këtë proces.
Sipas tij, "vështirësitë duhen të shihen jo vetëm të natyrës ligjore, por dhe asaj burokratike të institucioneve të përfshira në këtë proces".
Sipas investigimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë, problemet sipas kategorive lidhen kryesisht me veprimet përmbarimore, ku vërehen zgjatje të procedurave, marrja e masave nga gjykatat pa marrë parasysh bankat, mosthirrja e tyre në procese gjyqësore, çka ka ndikuar në rritjen e shumave për shlyerje nga kredimarrësit, masat për sigurimin e padive, ku veprimet kryhen pa palët e dëmtuara, duke shkelur parimin e barazisë.

Fullani theksoi se në afatet e gjykimit të çështjeve që lidhen me zbardhjen e vendimeve, konstatohen vonesa, shtyrje afatesh, çka favorizon kredimarrësit me probleme si dhe rëndim të bankave dhe kritikoi rastet për vendosje fiktive të sekuestros, si faktor që tregon mungesë transparence.
Por gjithashtu ai vlerësoi se falë kuadrit të përmirësuar ligjor, së fundi vihet re një përmirësim i marrëdhënies me shoqëritë përmbaruese, rritje të efektivitetit me procedurat e njoftimeve, si dhe paanshmëri në trajtimin e çështjeve.
Fullani parashtroi detyrat për të ardhmen për të përmirësuar mbledhjen e kolateraleve nga kredimarrësit që nuk mund të shlyejnë kreditë e marra në banka.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›