E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shesh pa plan

Prishtinës si kryeqytet i Kosovës, deri para tri viteve, i ka munguar një shesh i mirëfilltë dhe i rregulluar. Derisa Komuna vendosi që rrugën te “Teatri Kombëtar” ta shndërrojë në sheshin “Nëna Tereze”, kryeqyteti kishte rrugë vetëm për automjete.

Megjithatë, që nga viti 2007, në kohën kur Ismet Beqiri ishte kryetar komune, e deri sot, kur Isa Mustafa e ushtron këtë detyrë, disa nga punët teknike në këtë shesh akoma nuk kanë përfunduar.

Për këtë edhe organizata INPO që nga janari këtij viti, ka hartuar një raport vlerësimi për periudhën janar - prill 2010, të kryetarit Mustafa. Aty përmendet edhe premtimi i kryetarit për përfundimin e punëve në sheshin “Nëna Tereze”.

“Është premtuar një zgjidhje për përfundimin e punimeve në sheshin “Nëna Tereze”, saktësisht rishtrimin e granitit. Por gjatë 100 ditëve, asgjë nuk ka filluar. Punimet në këtë shesh nuk kanë përfunduar dhe si rrjedhojë nga viti 2007 projekti nuk është pranuar ende
teknikisht”, thuhet në raportin e INPO-s.

Kurse, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, shpjegon se Komuna është në përfundim të negociatave me kompaninë “Paradiso”, e cila e ka bërë shtrimin e pllakave.

“Pritet shumë shpejt që të fillojë projekti për rishkrimin e këtyre pllakave në bazë të parametrave teknikç që komisioni ka përcaktuar vitin e kaluar. Do të shtrohen vetëm ato pllaka që janë dëmtuar”, thotë Gashi për Express.

Menjëherë pasi që pllakat në atë shesh u shtruan, kanë filluar të thyhen për shkak se largësia ndërmjet tyre është e ndryshme.

Në disa pjesë ato kanë hapësirë më të madhe, e diku janë të afruara shumë ndërmjet vete.

Krahas shfaqjeve të pllakave të thyera, u dhanë njoftimet se në bazë të analizave dhe matjeve që janë bërë, radioaktiviteti i granitit të shtruar ishte më i lartë se që është e lejuar. Megjithatë, ekspertët patën paralajmëruar se rrezatimi i tillë në ambient të hapur nuk është rrezik për shëndetin e qytetarëve që kalojnë nëpër atë shesh. Komisioni, atë kohë, ka pasur vërejtje vetëm në gjeometrinë e pllakave të granitit si dhe vetitë dytësore që përfshijnë rrafshësinë e sipërfaqes dhe vlerësimi i ngjyrës.

Por, Binak Beqaj, ekspert në fushën e urbanizmit dhe njëkohësisht pjesëtar i panelit të ekspertëve në Komunën e Prishtinës, për projektin e këtij sheshi, thotë se çështja e radioaktivitetit të pllakave në këtë shesh dhe mungesa e shumë elementeve të tjera, janë çështje teknike, që është dashur të mendohen kur kanë filluar investimet.

“Në mbledhje është shtruar pyetja më kryesore, se sa ka qenë e nevojshme të shtrohen ato pllaka, pastaj vijnë këto çështjet e tjera teknike, të cilat edhe mund të rregullohen”, shpjegon Beqaj për Express.

Ai thotë se problemi kryesor i sheshit “Nëna Tereze” është mosdefinimi i rolit të qendrës së Prishtinës.

“Është dashur të bëhet një koncept zhvillimor, se a duan ta bëjnë qendrën me elemente të tradicionales, apo një qendër komplet moderne. Pastaj të vendoset se si të punohet aty”, shprehet Binak Beqaj.

Sipas vlerësimeve të tij, ky ka qenë vetëm një projekt ad hoc, sepse akoma nuk është definuar karakteri i sheshit me plan zhvillimor për qendrën e Prishtinës.
“Edhe në kohën kur kemi mbajtur mbledhje lidhur me sheshin, unë kam pasur disa vërejtje për këtë shesh, mirëpo askush nuk i ka marrë parasysh ato”, tregon Beqaj.

Përveç të tjerash, Beqaj thotë se si shkak i këtyre faktorëve, tash po vërehen pasojat e mosharmonizimit në një strategji gjithëpërfshirëse për zhvillimin e qendrës. “Prandaj edhe ka vonesa në rindërtimin e tij”, përfundon eksperti i urbanizmit, Binak Beqaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›