E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi, MTKRS: Projekti i Bashkisë nuk është miratuar nga IMK

TIRANë- Ministria e Kultures deklaron se do të kërkojë ligjërisht ndërprejen e punimeve nga ana e Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e sheshit Skënderbej. Sipas këtij institucioni, projekti nuk është miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore, të cilat pretendojnë se në vitin 2008 i kanë kërkuar bashkisë ndryshime.
Sipas drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në këtë ministri, Olsi Lafe, "ekziston një shkëmbim dokumentacioni mes Bashkisë së Tiranës, MTKRS-së dhe Institutit Kombëtar të Monumenteve mbi projektin për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej", por proçedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës për sheshin "Skënderbej" është në kundërshtim të hapur me ligjin".
"Kur Rama ka qënë ministër i Kulturës në vitin 2000, ka propozuar një VKM, që e shpall aksin kryesor të kryeqytetit, që fillon nga Sheshi “Nënë Tereza” dhe përfundon të Stacioni i Trenit, Asambël monument kulture", tha Lafe.
Duke iu referuar korrespondecës midis Bashkisë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, Lafe tha se "Bashkia e Tiranës në prill të 2008-ës i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës që të miratojë projekt-idenë e tij për rehabilitimin e Sheshit "Skënderbej" dhe kjo kërkesë ka ardhur në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, i mbledhur pranë MTKRS , i cili vendosi kufizime dhe ndryshime për ndërhyrjet që duhen bërë në kete sheshi".
"Këshilli vendosi që pjerrësia e sheshit të propozuar të mos kalojë 1% si dhe të mos lejohet ndërtimi i 2 ndërtesave në aksin e Bulevardit "Zogu i Parë" dhe midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë", u shpreh Lafe.
Në këtë drejtim, ai sqaroi se "bazuar në ligjin në fuqi "Për trashgëmininë kulturore", çdo vendim që merret nga pushteti lokal, Këshillat e Rregullimit të Territorit për zonat që janë monumente kulture, nëqoftëse nuk miratohen në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, janë të pavlefshëm".
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›