E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi Skënderbej, Olldashi nis punën për asfaltimin

Infrastruktura/ MPPTT nis procedurat për të realizuar urdhrin e Kryeministrit, topografët bëjnë matjet

Sheshi Skënderbej do të nisë të asfaltohet pas dy javësh. Ministri Olldashi ka nisur dje punën në këtë shesh, për ti ndryshuar atij pamjen, që i ngjan më shumë një rruge rurale të lënë pas dore sesa një qendre metropolitane. Topografët kanë nisur dje matjet për të hartuar më pas një projekt të saktë rreth ndërhyrjes në këtë shesh. Me këtë veprim Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (MPPTT) duket se ka nisur zyrtarisht punimet në sheshin Skënderbej, i cili prej vitesh mbahet peng nga Bashkia e Tiranës, nën pretendimin se projektin që ata kanë, e pengon qeveria të realizohet. Specialistët e MPPTT-së zbritën dje paradite në qendër të sheshit teksa edhe nisën të kryenin matje për asfaltimin e tij. Topografët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve me anë të matjeve nisën dje marrjen e të dhënave në shesh që më pas të bëhet projekti për rikonstruksionin. Të gjitha matjet e kryera dje do të studiohen nga një grup pune pranë DPRR-ve, i cili do të shoqërohet me një preventiv që do ti ndjekë punimet. Burime zyrtare pranë MPPTT-së thanë dje se punimet pritet të nisin në këtë shesh pas dy javësh. Matjet e kryera shërbejnë për të nxjerrë koston e projektit, i cili u kërkua disa ditë më parë nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Kryeministri në mbledhjen e fundit të qeverisë kërkoi nga ministri Olldashi, që të hartohet projekti për ndërhyrjen e menjëhershme në qendrën e Tiranës. Në këtë mbledhje Kryeministri tha që sa të bëhen planet, MPPTT duhet të shtrojë një shtresë të mirë asfalti, për të mos turpëruar vendin. Kreu i ekzekutivit dha porosi në këtë mbledhje që të vendosen kontaktet me qeverinë vendore të Tiranës për të marrë vendimin për sheshin. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, pas urdhrit të Kryeministrit, deklaroi publikisht se ministria e tij është e gatshme për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës për rehabilitimin e sheshit Skënderbej, në qendër të Tiranës. Ministri Olldashi madje kërkoi që Bashkia e Tiranës të bashkëpunojë në ketë iniciativë të qeverisë, pasi ajo nuk ka asnjë projekt për sheshin Skënderbej, edhe pse qeveria i ka siguruar fondet dy vite më parë. Por pas urdhrit të Berishës, bashkia doli dhe refuzoi bashkëpunimin me ministrinë dhe qeverinë. Bashkia e Tiranës disponon prej 2 vitesh një fond prej 10 milionë dollarësh, donacion i qeverisë së Kuvajtit, pikërisht për sheshin. Por ajo asnjëherë nuk ka paraqitur pranë KRTRRSH-së ndonjë projekt për këtë shesh që të miratohet. Sheshi Skënderbej është kthyer këto ditë në një konflikt të hapur mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Pak ditë pasi kryetari i bashkisë, Edi Rama, njoftoi se do të nisë së shpejti nga puna për sheshin Skënderbej, porse qeveria nuk po bën shpronësimet, Kryeministri Sali Berisha ka reaguar duke thënë se deklaratat e Ramës janë një turp.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›