Shevçenko mposht treshen kuqezi Curri-Dallku-Januzi
Vorskla Poltava, skuadra ku militon treshja kuqezi, Debatik Curri, Armend Dallku dhe Ahmed Januzi ka dalë e humbur nga përballja me Dinamon e Kievit. Takimi i luajtur në kryeqytetin ukrainas ka përfunduar me rezultatin 1-0 në favor të Dinamos, me golin e realizuar në minutën e 55 nga ish-ylli i Milanit dhe çelsit, Andrij Shevçenko. Dy mbrojtësit e Kombëtares “A” dhe sulmuesi i kuqezinjve Under-21 të Artan Bushatit janë aktivizuar si titullarë, ndërsa qëndruan në fushën e lojës gjatë gjithë takimit. Madje, Januzi rrezikoi edhe në dy momente portën e Dinamos së Kievit, por ishte i pafat në tentativat e tij.
Vazhdon momenti negativ i Krivbas Krivji Rig, skuadrës tjetër të elitës ukrainase ku militojnë portieri Isli Hidi dhe mesfushorët Ansi Agolli e Dorian Bylykbashi. Ata janë mposhtur 3-1 në fushën e çernomorets Odesas, pavarësisht se kaluan të parët në avantazh me golin e Varankov në të 40-n. Agolli ishte i vetmi prej shqiptarëve që luajti si titullar, ndërsa Bylykbashi u aktivizua prej minutës së 48 të takimit. Krivbasi vazhdon të mbyllë klasifikimin në Vyscha Liga, me vetëm 7 pikë të grumbulluara pas 19 ndeshjesh.
#