E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet Vllaznia, Fushaj: Heqim dorë nga pretendimi për tri pikët me Shkumbinin

Deklarata Presidenti i shkodranëve minimizon edhe çështjen e xhamave të thyer të autobusit

Vllaznia i jep fund polemikave. Klubi shkodran është tërhequr nga pretendimet për të marrë tri pikët në tavolinë për ndeshjen me Shkumbinin. Lajmi është konfirmuar nga presidenti Valter Fushaj, që i ka vënë kapak çështjes “Mustafaj”. Në fakt, pas sfidës së mesjavës, që përfundoi në barazim 0-0, klubi kuqeblu pretendoi fitoren nëpërmjet zyrave të FSHF-së. Drejtuesit e Vllaznisë këmbëngulnin se peqinasit kishin shkelur rregullat me aktivizimin e sulmuesit Erjon Mustafaj, i cili ishte pezulluar për pesë javë nga Komisioni i Disiplinës. Megjithatë, informacioni nuk ishte transmetuar si duhet, edhe për shkak të “rrëmujës” në ambientet e federatës në prag të Asamblesë: lojtari i Shkumbinit ishte falur më 4 mars me vendim të Komitetit Ekzekutiv, por kopja e vendimit, e firmosur nga tetë anëtarë të organit më të lartë vendimmarrës, nuk ishte dorëzuar në sektorin e garave. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Fushaj theksoi se skuadra e tij do të heqë dorë nga pretendimi për tri pikët.

“Për sa i takon çështjes ‘Mustafaj’, është konstatuar se gjithçka ka qenë konform rregullave. Në këto kushte, pavarësisht faktit se klubi Vllaznia e ka dërguar çështjen në Komisionin e Disiplinës, mendoj se nuk është e nevojshme që ajo të merret në shqyrtim. Tashmë kjo histori mund të quhet e mbyllur për ne: kemi hequr dorë nga pretendimi për të marrë fitoren në tavolinë për ndeshjen me Shkumbinin”, ishte deklarata e njëshit të klubit shkodran.

Ai minimizoi edhe problemin me autobusin e Vllaznisë, xhamat e të cilit u thyen nga disa tifozë peqinas. Fushaj theksoi se një ngjarje e tillë, e cila kishte si protagonistë disa mbështetës minorenë të Shkumbinit, nuk mund t’i prishë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy klubeve. “Ngjarja e ndodhur me autobusin e ekipit tonë në Peqini, kurrsesi nuk i prish marrëdhëniet shumë të mira që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi me drejtuesit e Shkumbinit. Policia ka marrë masat e saj, duke ndaluar edhe disa persona: por, nëse dikush do të merrte mendimin tim, do t’i bëja thirrje që ata të lirohen, ndoshta duke paguar thjesht një gjobë të vogël, duke qenë se janë minorenë”, tha presidenti rreth agresionit që i ka kushtuar disa miliona lekë dëme materiale klubit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›