Kuzhe: Shqipëria do ti shastisë të gjithë
Josip Kuzhe beson se Shqipëria do t’i shastisë rivalet në eliminatoret e Euro 2012. Kuqezinjtë luajnë në Grupin D përballë Francës, Rumanisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bjellorusisë dhe Luksemburgut dhe kanë detyrën që të sigurojnë të paktën ngjitjen në vazon 4, për eliminatoret e Botërorit 2014. Edhe pse në letër, të gjithë kundërshtarët (përveç Luksemburgut) janë të vështirë, trajneri kroat beson te forca e Kombëtares sonë. Ai deklaroi se, ashtu siç ka ndodhur edhe në edicionet e mëparshme, përfaqësuesja shqiptare do të dhurojë shumë surpriza, ndërsa thekson se objektivi është vendi i tretë ose i katërt në grup. “Të gjitha kundërshtaret e Shqipërisë do të shastisen nga skuadra që unë drejtoj. Për këtë duhet të jeni të sigurt”, deklaroi Kuzhe. “Në eliminatoret e kaluara, barazuam jashtë fushe me Portugalinë, por edhe në fushën tonë me Suedinë dhe Danimarkën. Drejtuesit e federatës më lejojnë të punoj i qetë dhe nuk ushtrojnë asnjë presion ndaj meje. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se për Shqipërinë do të jetë një sukses i madh nëse arrijmë t’i mbyllim eliminatoret në vendin e tretë ose të katërt në grup”.
Fitorja 1-0 përballë Irlandës së Veriut, në miqësoren e 3 marsit cilësohet si pozitive nga tekniku 57-vjeçar. Kjo jo vetëm për faktin se prova e parë e vitit 2010 u kalua me sukses, por edhe sepse në këtë ndeshje u hodhën baza për të ardhmen e lojës së Kombëtares. “Nuk mendoj se fitorja në miqësoren me Irlandën e Veriut ishte një surprizë; të paktën jo për ata që e ndjekin me vëmendje situatën në futbollin europian, theksoi ai. Kemi një përfaqësuese që është në rritje të vazhdueshme. Ky është objektivi kryesor i punës sonë”. Kuzhe foli edhe për nisjen e ndeshjeve eliminatore me ndeshjen në fushën e Rumanisë, ndërsa më pas kuqezinjtë do të presin në shtëpi Luksemburgun, skuadrën më modeste të grupit: “Natyrisht që jam i kënaqur që në grupin tonë kemi një skuadër si Luksemburgu. Gjithsecili ka dëshirat e tij rreth kundërshtarëve në eliminatore. Mund të them se jemi optimistë që do të luajmë me Rumaninë në takimin e parë (më 4 shtator 2010), në fushë kundërshtare. Katër ditë më pas presim në shtëpinë tonë Luksemburgun. Mendoj se kemi një shans ideal për t’i filluar mirë kualifikueset, për të ngritur baza të forta që prej dy ndeshjeve të para”.
Një kundërshtar, të cilin trajneri i Shqipërisë e respekton është Bosnja. Sipas tij, surpriza e edicionit të kaluar eliminator (që u thye në “play-off”-in për një “biletë” në Botërorin 2010 nga Portugalia), meriton të jetë në vazon e parë ose të dytë të shortit. Ndërkohë, Josip Kuzhe thekson se nuk do të komunikojë me ish-trajnerin e boshnjakëve, Blazeviç për të evidentuar pikat e dobëta të skuadrës ku luajnë yje si Edin Xheko, Ibiseviç apo Misimoviç. “Bosnja është një ekip që për mendimin tim meriton të jetë në vazon e parë ose të dytë. Mendoj se ideja e tyre për t’i nisur eliminatoret me tri pikë të thjeshta përballë Luksemburgut ishte mjaft e mirë. Më pas do të presin Francën, për të shfrytëzuar mbështetjen e publikut. E njoh mirë potencialin e tyre edhe falë informacioneve që ka asistenti im, Zhemal Mustedaganiç. Për këtë arsye nuk do të kem nevojë të konsultohem me Blazeviç: edhe pse e kam mikun tim, ne kemi vizione të ndryshme për futbollin dhe nuk mendoj kurrë se çiro do të thotë fjalë negative për Bosnjën”, përfundoi Kuzhe.