Shfaqet në publik lideri kubanez Fidel Kastro
Lideri revolucionar kubanez Fidel Castro ka bërë një paraqitje të rrallë publike që pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore 4 vjet më parë. Ai shfaqet gjatë një vizite të zhvilluar kësaj jave në Havana, bën të ditur website i qeverisë kubaneze. Fotografët, kanë postuar në siten www.cubadebate.cu foto të Kastros i cili shfaqet në gjendje të mirë shëndetësore dhe duke qeshur madje. Fotot janë postuar nga i biri i tij, Alex dhe 83-vjeçari shihet teksa bisedon me drejtues të qendrës kombëtare të hetimeve shkencore në Havana. Lideri kubanez duket se gëzon shëndet të mirë pavarësisht thenieve apo deklaratave që qarkulluan së fundmi se ai kishte probleme madhore me shëndetin. fotot janë kryer me aparat celular. Në fotografi Fidel Kastro shfaqet i veshur me një xhaketë sportive me ngjyrë të bardhë. Ish presidenti kubanez zhvilloi një vizitë në qendrën kombëtare të hetimeve shkencore në Havana, në të njëjtën ditë në të cilën i vëllai Raul Kastro pati një takim me ministrin e jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratinos. Pikërisht gjatë kësaj jave, Havana dhe Kisha kubaneze kanë deklaruar pas bisedimeve mes tyre, lirimin në kohë të ndryshme të 52 të burgosurve politikë. Duke nisur nga e hëna, të burgosurit do të fillojnë të mbërrijnë në aeroportet e Spanjës me statusin e refugjatëve politikë. Të burgosur të tjerë mund të shkojnë në Kili, në Francë e në vende te tjera europiane.