Kosovë/ Situata në veri mbetet i tensionuar
Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare pohojnë se situata në veri është qetësuar, por ekspertët e sigurisë thonë të kundërtën. Ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë vlerësojnë se situata në veri të Mitrovicës vazhdon të mbetet e brishtë. Ata thonë se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë t'i rrisin masat e sigurisë, në mbrojtje të jetës së qytetarëve atje. Sipas tyre, autoritetet kosovare duhet të garantojnë sigurinë dhe tërësinë territoriale të shtetit. Naim Maloku, ekspert për çështje ushtarake, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se për të pasur një stabilitet të situatës në veri, duhet që domosdoshmërisht të fuqizohen mekanizmat për mbajtjen e rendit dhe funksionimin e ligjshmërisë në atë pjesë të Kosovës. Edhe për ekspertin, Agim Musliu, situata e sigurisë në veri të Kosovës është e paqëndrueshme. Sipas tij, gjendja atje mund të jetë e qëdrueshme aq sa dëshirojnë autoritetet e sigurisë në Serbi. Ai thotë se sulmet e njëpasnjëshme në veri dëshmojnë nevojën urgjente të fuqizimit të autoriteteve të rendit atje. Siç thotë Musliu, kjo situatë ndodh pasi institucionet e Kosovës po e anashkalojnë vetë atë, duke mos ndërmarrë asgjë konkrete. Veriu i Kosovës, edhe për një kohë të gjatë, do të vazhdojë të mbetet sfidë për institucionet kosovare, thotë eksperti Naim Maloku. Disa nga anëtarët e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, pas incidenteve të fundit në veri, situatën atje tashmë e shohin të qetë. Behxhet Bala, anëtar i këtij komiteti, shpjegonb se për momentin ka një gjendje të qetë, gjithësesi ka kërkuar në Komitetin e Sigurisë që të ketë masa shtesë të policisë në veri . Situatën e qetë në pjesën veriore të Kosovës e shohin edhe autoritetet ndërkombëtare. Përfaqësuesit e misionit evropian për sundimin e ligjit thonë se Policia e Kosovës po mban rendin në atë pjesë, duke qenë e monitoruar nga EULEX-i.