Rekomandimet e ndërkombëtarëve janë baza e ligjit të ardhshëm elektoral

Kryeministri flet rreth diskutimeve për reformën zgjedhore
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, takimin në Komisionin e Venecias ku mori pjesë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Berisha shprehu falenderimet e tij për punën e bërë nga Komisioni i Venecias dhe nga OSBE-ODIHR për rekomandimet e bëra në kuadër të reformës zgjedhore dhe parlamentare. “Zhvillim shumë i rëndësishëm ishte takimi në Komisionin e Venecias, ku delegacioni ynë u kryesua nga Kryetarja e Parlamentit zonja Topalli. Dua të shpreh edhe njëherë falënderimet e mia të përzemërta, për këto institucione, që janë sot institucionet me ekspertizën më të madhe në botë për zgjedhjet, siç është Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i dhe rekomandimet e shkëlqyera, objektive të dobishme që ato kanë paraqitur. Sikundër garantoj se do të punohet me seriozitetin më të madh për konkretizimin e tyre në ligjet udhëzimet, vendimet e këtij vendi. Në këtë delegacion, siç e morët vesh, kishte dhe anëtarë të opozitës dhe është pozitive që opozita ndihet e kënaqur dhe ka pranuar plotësisht rekomandimet e drejta dhe të bazuara të këtyre dy institucioneve”- u shpreh Berisha. Kryeministri kërkoi që komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, të vazhdojë punën në frymë bashkëpunimi dhe mirëbesimi.
“Uroj dhe dëshiroj që Komisioni i Reformës Parlamentare, në frymën e bashkëpunimit, në frymën e mirëbesimit, në frymën e mirëkuptimit, duke pasur tashmë një dokument të shkëlqyer, serioze përpara, të vazhdojë punën me intensitet në realizmin e kësaj reforme të rëndësishme për vendin”- tha kryeministri.
...