Shfryhet LSI, deri tani të sigurt vetëm zv-kryeministrin
Negociatat e deritanishme flasin për drejtimin e sektorit të energjetikës dhe postin e zv-kryeministrit
TIRANË- Edhe pse zyrtarisht, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mohojnë të ketë negociata, takimet mes tyre, por edhe drejtuesve të tjerë të lartë të dy partive tregojnë se bisedimet vijojnë, jo vetëm për qeverisjen e ardhshme, por edhe më tej.
Ndryshe nga pretendimet e LSI-së, për t'i konsideruar katër deputetët e saj si deputetë të artë dhe për pasojë radhitjen e një liste të gjatë të dikastereve, që ata kërkojnë, burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën se negociatat e deritanishme plotësojnë vetëm një pjesë të oreksit të LSI-së.
Deri më tash, mësohet se LSI-ja ka siguruar postin e zv-kryeministrit dhe zv-ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës, që merret drejtpërdrejt me KESH-in dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit.
Mësohet se Kryeministri Berisha nuk ka pranuar ende që të ndajë veças sektorin e ekonomisë nga ajo e energjetikës, e shumëkërkuar kjo e fundit nga deputeti i LSI-së, që shpalli votën i pari për Berishën, Dritan Prifti. Në pikëpyetje gjithashtu është edhe kërkesa tjetër e LSI-së, për drejtimin e Ministrisë së Brendshme, për të cilën ende nuk ka një rezultat përfundimtar.
Deri më tani, LSI ka siguruar vetëm postin e zv-kryeministrit dhe drejtimin e sektorit që lidhet me energjetikën, por pa u saktësuar nga Kryeministri se në ç'formë.
LSI-ja është dorëzuar edhe nga një tjetër kërkesë, që lidhet me drejtimin e Kuvendit, kryesim të cilin do të vijojë ta ketë Jozefina Topalli, e cila prej një jave ka filluar sërish takimet si kryeparlamentare.
Por, përpos negociatave që lidhen direkt me përbërjen e ardhshme të qeverisë, për të cilën Berisha duket se nuk ka ngut, (për sa kohë që shprehet se ajo do të shpallet në fund të muajit Gusht), dy partitë që deri para zgjedhjeve luftonin njëra-tjetrën duket se po diskutojnë edhe për një bashkëpunim më të gjatë, gjithnjë në rast se qeverisja, që do të formohet mes tyre do të jetë efiçente për të përballuar zgjedhjet e afërme, ato lokale. Megjithatë edhe në këtë drejtim, LSI pak gjasa ka që të realizojë synimet e saj.
Në një interviste televizive, nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, ka deklaruar se me Partinë Demokratike do të hyhet në koalicion në zgjedhjet e ardhshme lokale, një formë kjo për të treguar, sipas tij, se qeverisja mes tyre do të jetë stabël dhe afatgjate.
Madje Prifti ka folur edhe për një draft marrëveshjeje për të cilën është shprehur i sigurt se Berisha do ta zbatojë, edhe pse historia deri më tash ka treguar të kundërtën. Nga zyrtarë të lartë të LSI-së është theksuar gjithashtu se PD-së i është vënë kusht edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor.
Por përpos dëshirës së madhe të LSI-së, zbatimi i këtij kushti, sado premtues që mund të duket nga PD-ja, nuk mund të arrihet asnjëherë pa konsensusin e Partisë Socialiste.