Vizioni i Obamas
Vetë personaliteti i Presidentit Obama ka ndikuar direkt në politikbërjen e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Mbi të gjitha shumëçka i dedikohet formimit dhe trashëgimisë së tij personale; prindërve, familjes së gjerë, mënyrës së rritjes; vendeve ku ka jetuar; arsimimit dhe sigurisht karrierës së tij politike graduale, duke filluar nga lagjet më të varfra e deri në Senat.
Ata që e njohin mirë nënvizojnë se tek ai ndërthuren si te pak politikanë dy cilësi: optimizmi dhe idealizmi. Të gjitha këto elementë të marrë së bashku formëzuan karakterin e tij shumëdimensional dhe sigurisht mënyrën se si Presidenti e sheh pozicionin e tij dhe të administratës që drejton në fushën e politikës së jashtme; pra në raportet që synon dhe tenton të vendosë me shtetet "përtej shtëpisë".
Vizioni i tij shpreson dhe parashikon krijimin e një bote ku SHBA-të do të kontribuojnë intensivisht për zhdukjen e varfërisë, sëmundjeve, frenimit të ngrohjes globale, dhënien fund të konflikteve; thënë ndryshe për një botë ku individitët të jetojnë cilësisht më mirë.
Obama mbështet fuqimisht te teza se rivlerësimi dhe rikthimi i dinjitetit dhe i shpresës tek të gjitha kombet, shtetet dhe mbi të gjitha te vetë njerëzit dhe popujt në zonat e trazuara të globit, do ta ndihmojnë Amerikën, jo vetëm të ndihet shumë më e sigurtë, por edhe të dalë më natyrshëm në misionin e saj të të udhëhequrit të një bote më moderne dhe me sfida të tjera.
Në një fjalim programatik gjatë periudhës së fushatës ai u shpreh qartë për këtë lajtmotiv të ri të filozofisë së tij teksa nënvizoi se: " Udhëheqja në këtë epokë fillon me njohjen e fenomenit se siguria dhe mirëqenia e secilit amerikan është e ndërvarur nga siguria dhe mirëqenia e atyre që jetojnë përtej kufijve tanë.
Duhet të angazhohemi për njohjen dhe vlerësimin e drejtë të barazisë, dinjitetit dhe të vlerës që kanë popujt individualisht." Për Presidentin, që ka jetuar në vende të " Botës së Tretë ", dhe që e njeh mjaft mirë varfërinë, e ka klasifikuar atë si objektiv parësor dhe madhor. Aforizmit se "Varfëria është forma më e sofistikuar e dhunës," ai i ka dhënë peshën e duhur.
Për këtë qëllim ai kërkon dyfishimin e ndihmës së huaj deri në vitin 2012 për shumë shtete të dobëta. Sipas tij asistenca financiare duhet të konsistojë në ndërhyrjen me "investime në bujqësi, infrastrukturë dhe rritjen ekonomike".
Është fakt i gjithëpranuar, se nuk ka dallime mes këtyre premtimeve dhe shtjellimit të tyre pas fitores. Arsyeja qëndron sërish te fakti se ai kishte një program të detajizuar dhe të mirëstudiuar. Gjenialiteti i tij qëndronte mbi të gjitha te fakti se arriti të fitojë besimin dhe votën e komuniteteve të gjëra dhe me influencë në Amerikë siç janë hebrenjtë, arabët, kubanezët, latinët, me plane të gatshme për t'u zbatuar, madje pa ndërhyrje shtesë.
Në debatet e ndezura mes tij dhe rivalit republikan, Obama u sulmua nga Senatori Xhon MkKein për diletantizëm në politikën e jashtme, ndaj "Amerika nuk duhej t'i besonte një rishtari të këtyre përmasave". Por, siç ndodh rëndom në politikë, ajo u shndërrua në bumerang.
Tre ishin arsyet themelore. E para, se ai ruajti distancën e shëndetshme nga angazhimi ekstrem për çështjet e jashtme dhe ushtarake. E dyta ai afroi rreth vetes një grup personalitetesh që mbartnin ekspertizë dhe eksperiencë unikale. Dhe e treta, ai ishte realist se çdo ndërhyrje ushtarake ka kosto të shumëfishta, mbi të gjitha perceptimi dhe moraliteti, ndaj të cilave është mjaft i ndjeshëm.
Shumica e atyre që i kanë qëndruar pranë Presidentit janë veteranë të epokës Klinton, që ndajnë me të të njëjtën filozofi.
Ata besojnë se fuqia ushtarake amerikane është e rëndësishme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë globale, por ajo duhet të përdoret vetëm pasi të jenë shterur të gjitha alternativat e tjera, kryesisht ato politike dhe diplomatike.
Në grupin e këshilltarëve të tij janë angazhuar emblema të Partisë Demokratike, veteranë të tillë si ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ish-Sekretari i Mbrojtjes, Ëilliam Perry dhe ish-Senatori, Sem Nan. Janë të shumtë vëzhguesit që vlerësojnë edhe një tipar tjetër të karakterit të tij: "ai dëgjon shumë dhe me vëmendje gjithkënd që ka diçka për të thënë".
Në filozofinë e tij ndërhyrjet duhet të jenë qëllimmira dhe të perceptohen si të tilla nga shumica dhe jo si përzierje të dhunshme në punët e brendshme. Një koncept ndryshe ky që synon përmirësimin real të imazhit amerikan, aq të dëmtuar në botë për shkak të qëndrimeve unilateraliste të paraardhësit Bush.
Ai synon nxitjen me forma efikase të shteteve me demokraci të dobët. Ndërkaq, një tjetër dimension i rëndësishëm, i trashëguar sërish nga "epoka Klinton", mbetet mbështetja dhe inkurajimi i elementëve disidentë.
Por, pavarësisht prej përdorimit, apo jo, një nga temat më të ndjeshme dhe më të diskutueshme në shtypin dhe rrethet politike amerikane mbetet raporti mes këtij vizioni të Presidentit dhe ushtrisë. Plotësisht i ndërgjegjshëm për këtë dimension, Obama ka qenë mjaft i kujdesshëm. Gjatë viteve në Senat kurrë nuk i kundërshtoi faturat e larta të shpenzimeve të mbrojtjes.
Ai votoi pro shtimit në numër dhe fuqizimit të forcave ushtarake. Në këtë rrafsh Presidenti mbështeti hapur dhe energjikisht platformën e zgjerimit të Natos; madje u dorëzoi vetë personalisht dokumentin e anëtarësimit Shqipërisë dhe Kroacisë, pak muaj më parë në Samitin e Strasburg-Kiehl.
Obama në linjën e paraardhësve të tij, në kuadrin e përpjekjeve për një botë më të qetë dhe të sigurtë, mbështeti në parim edhe tezën strategjike për dhënien e Planit të Veprimit të Anëtarësimit Ukrainës dhe Gjeorgjisë, ndonëse është plotësisht i ndërgjegjshëm për qëndrimin dhe reagimin rus.
Më tej, Presidenti i ri është tërësisht i angazhuar për avancimin e tezës për zgjerimin e mëtejshëm të Aleancës përtej kontinentit Evropian dhe asaj Amerikano-Veriore. Strategjikisht ka vite që diskutohet edhe për një anëtarësim të mundshëm në këtë Aleancë të dy vendeve të largëta, që kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin për të kontribuar për paqen globale, siç janë Australia dhe Zelanda e Re.
Ky plan pritet të përshpejtohet ndjeshëm gjatë mandatit të parë Obama. Vizion i kthjellët, strategji konkrete, ndaj nëse nuk ndodhin "surpriza të pakëndshme tragjike" është në rrugëtim të mbarë për t'u materializuar.
"Shënimi është pjesa e dytë e triptikut të autorit në "Shekullit" mbi politikën amerikane. Titulli në origjinal: "Politika e Jashtme e Obamës - VIZIONI"