Shi dhe erë në çadër,grevistët marrin serum
Ka shkuar në 38 numri i grevistëve që kanë dalë nga greva. Florian Shima dhe Shefki Mullai lanë mbrëmë ccadrën pasi gjatë kontrollit mjekësor janë konstatuar probleme me tensionin. Ndryshimi i menjëhershëm i motit vështirësoi dje jetën në çadrën e ngujimit të grevës së urisë. Grevistët thanë dje se shiu i rrëmbyer që ra gjatë orëve të para të mëngjesit nuk u ka sjellë probleme, ndërsa më e vështirë situata është bërë kur ka nisur era e fortë, që ka vazhduar gjatë gjithë ditës dhe natës së djeshme. Era pothuaj ka luajtur nga vendi pajisjet në çadra, ndërsa grupi mbështetës i grevës, gjatë gjithë paradites së djeshme ka marrë masa duke përforcuar çadrat me plastmase të tjerë, për të penguar sadopak erën. Edhe pse në këto kushte, të cilat për grevistët konsiderohen një sfidë e re, përveç mungesës së ushqimit, vapës së madhe të mesditës vetëm dy ditë më parë, gjendja shëndetësore e tyre dje ka qenë fare e qetë. Për disa grevistë ka vazhduar trajtimi me serum, ndërsa për të gjithë është bërë matja e tensionit arterial, por dhe analiza të gjakut për ata që janë nën vëzhgim, për shkak të patologjive të trashëguara që kanë.