E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Mitingu i PS i paligjshëm



Fatos Mahmutaj

Partia Socialiste zhvilloi miting të paligj-shëm pasditen e vonë të së premtes, ndërkohë militantët plagosën pesë policë kryeqytetas. Ky është konstatimi i Drejtorisë së Policisë së Tiranës në një deklaratë zyrtare në të cilën thuhet se: "Në lidhje me tubimin e datës 14 maj 2010 të organizuar nga subjekti Partia Socialiste, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, informon opinionin publik se ky tubim është organizuar nga subjekti Partia Socialiste në kundërshtim me Ligjin numër 8773, datë 23 prill 2001, "Për Tubimet", duke mos bërë asnjë njoftim paraprak në Policinë e Tiranës sipas parashikimeve të neneve 5 dhe 7 të ligjit të mësipërm. Pavarësisht se, ky tubim është zhvilluar pa një njoftim paraprak, Policia e Tiranës, mori të gjitha masat e nevojshme për garantimin e zhvillimit normal të tubimit dhe për sigurimin e rendit e qetësisë publike në të gjithë territorin e qarkut Tiranë".
Deklarata
Ndërkohë, më tej në deklaratën zyrtare, dikasteri i rendit në kryeqytet thotë se: "Në përfundim të tubimit, një grup prej 40 - 50 protestuesish goditën me gurë e sende të tjera të forta, punonjës të policisë, të cilët ishin të planëzuar me shërbim për mbarëvajtjen e tubimit. Për pasojë, janë plagosur lehtë pesë punonjës policie, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore". Këto veprime kanë vënë në lëvizje policinë e kryeqytetit, e cila bën të ditur se nga strukturat e hetimit të krimit janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, duke u siguruar pamjet filmike të ngjarjes, ndërsa ka nisur të punohet intensivisht për identifikimin e autorëve të goditjes së punonjësve të policisë. Pas kësaj deklarohet se materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit publik", parashikuar nga neni 236 të Kodit Penal. "Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, përfiton nga rasti t'u drejtohet të gjitha subjekteve politike që të respektojnë dispozitat ligjore në lidhje me tubimet", përfundon deklarata zyrtare e policisë së Tiranës.
Të dëmtuarit
Policë të kryeqytetit që ndodheshin të premten në sheshin përpara kryeministrisë pohuan pas mitingut se ishin gjendur nën breshërinë e sendeve të forta nga protestuesit, si shishe uji dhe shkopinj. Sipas tyre nga protestuesit nuk kishin munguar as gurët e hedhur ndaj policëve, të cilët për t'i kamufluar, ishin treguar të kujdesshëm t'i mbështillnin paraprakisht me letra. Pikërisht këto sende, që në fakt ishin siguruar me shumicë në trotuarin anash bulevardit kryesor, janë ata që u shkaktuan dëmtime serioze policëve kryeqytetas. Burime të tjera nga policia e kryeqytetit pohuan se menjëherë pas përfundimit të mitingut të opozitës, policët e dëmtuar u dërguan në Drejtorinë e Policisë, ku morën mjekimet e nevojshme nga mjeku i këtij institucioni, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore, nisën çështjen penale për plagosjen e efektivëve blu.
Hetimi
Po kështu burime policore pohuan se të dëmtuarit ishin efektivë të komisariateve të kryeqytetit, të cilët kryejnë shërbime në sektorin e ruajtjes së objekteve. Mbrëmjen e së premtes burime policore pohuan se efektivët që ndodheshin në radhën e parë të kordonit të efektivëve blu, midis protestuesve dhe godinës së Kryeministrisë, kanë dhënë shpjegime para kolegëve të tyre, rreth personave që kanë parë të qëllonin mbi ata me sendet e forta. Po kështu, mësohet se policia ka marrë pamje filmike të transmetuara nga televizionet. Këto pamje po analizohen për të identifikuar personat që kanë qëlluar ndaj bluve. Paraprakisht, policia ka dalë në konkluzionin se protestuesit e dhunshëm ishin nga qyteti i Shkodrës, por kjo, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga blutë e kryeqytetit. Po kështu ende nuk bëhet i ditur fakti nëse Partia Socialiste, organizatore e protestës së të premtes do të kallëzohet apo jo në Prokurori për shkeljen e ligjit 'Për Tubimet'.

Mesila Doda
Sipas deputetes demokrate, Mesila Doda, mitingu i 14 majit i PS-së tregoi se qytetarët nuk e mbështesin më protestën e opozitës. "Patëm rastin dje të shihnim dështimin e radhës së Edi Ramës. Të gjithë mundëm të evidentonim vetminë dhe braktisjen e madhe me të cilën është dënuar Edi Rama, nga populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë", tha Doda. Deputetja e PD-së theksoi se "kryetari socialist, i përbetuar se do vinte në shërbim të kauzës edhe trupin e tij, pasi foli e përfoli gjatë gjithë ditës grevën e urisë që do fillonte ai vetë, më të egrën e të gjitha kohëve, foli me një pjesë të punonjësve të tij të bashkisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", qau për fëmijët e grave që e kanë mamin pa bukë në mes të rrugës dhe më pas mori lule dhe vrapoi të hante supën e ngrohtë të mamit".

Edi Paloka
Deputeti i PD-së, Edi Paloka i bëri thirrje dje opozitës të lirojë bulevardin dhe të vazhdojë grevën në trotuar. "Shokët e njësitit gueril të spitalit infektiv, na paskan habitur edhe mjekët me gjendjen e tyre perfekte shëndetësore, jo shpirtërore. Do ta kishim vlerësuar këtë shfaqje në të gjithë komponentët e saj, nëse nuk do kishte penguar seriozisht qytetarët e Tiranës për të kryer punët e tyre të përditshme", tha Paloka. Sipas tij, "si politikan, por edhe si qytetar i Tiranës, në mënyrë që të vazhdoj të shikojë shfaqjen e përgatitur me kujdes, do doja t'i ofroj një kompromis çunave të bllokut, të cilët që prej 16 ditësh kërkojnë zyrat e babit: zhvendosini çadrat në trotuar e vazhdoni shfaqjen, qytetarët nuk i pengoni dhe ju rrini sa të doni".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›