E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe rasti i një politike të re

Ndriçim Kulla

Nuk janë të paktë ata që pyesin sot: "Si është e mundur që nuk ekzistojnë edhe në skenën shqiptare, zëra apo politikanë të tillë të fortë (si të një çurçilli në Angli, të një Einaudi në Itali, apo dhe shumë të tjerë në çdo vend), të aftë të na shpjegojnë të këqijat që na kanosen, pa i fshehur ato dhe të na tregojnë rrugën pa u ndruajtur nga mospopullariteti? Janë dy pjesë të ndryshme të një pyetjeje, sepse njëra ka të bëjë me ndërgjegjshmërinë e individit, kurse e dyta me zgjedhjen e atyre që na udhëheqin. Megjithatë, që të dyja kanë të përbashkët brengën për gjendjen e tanishme të raportit qytetar-politikë dhe nevojën urgjente për të përmirësuar "polis"-in: për ta bërë atë më pak të errët, opak, të padeshifrueshëm. Dëshirën për të dalë nga diçka që për qytetarin e paangazhuar politikisht ngjan si "burgu i diktimit të politikës" në gjithë jetën e tij. Mjaft më me këtë lloj axhende që atij i jepet pa e ditur dhe me pahir, duke filluar që me ndryshime ligjesh e Kushtetute brenda natës, ndryshime tarifash e taksash, grindje sheshesh, udhëkalimesh, mitingje e antimitingje, bojkote, kuti e së fundi edhe marshime te përditshme e grevë e pandalur urie. Mirëpo, për të gjithçka është relative, duke e detyruar të mbetet i dyzuar e më e keqja, pa një jetë të tijën në "polis". Ky konflikt tregoi se kjo "jetë qytetare" apo të paktën "dëshira për të" është goxha më e madhe në numër se sa mendohej. Ndoshta është ajo pjesa post-ideologjike, në rastin më të mirë ose anti-politike në rastin më të keq. Gjithsesi, u kuptua qartë se e ardhmja i takon asaj në vendosjen e drejtpeshimit të gjërave, të ekuilibrave, jo pjesës së angazhuar politike. Tek e fundit, "diktimi" i çdo axhende, i çdo qeverie, politike, partie, shërbimi apo dhe shoqërie, i takon pikërisht "polis"-it.
Nuk është hera e parë që qytetari shqiptar, me sytë e lodhur nga mediatizimi i pafund që trysnon politika, e mëson veten të shohë pak hapësirë vërtetësie, pak risi të vërtetë e kështu dhe pak shpresë për të ardhmen. Nuk është hera e parë që atij i krijohet përshtypja se do të rrëzohet përballë politikës, duke ndjerë raste të mëdha e të favorshme për përparimin, edhe njëherë të humbura. E megjithatë, historia mëson se pikërisht në këto momente mendja zgjohet, rifillon të ushtrohet gjykimi i shëndoshë se, pikërisht në këto çaste qytetari bëhet i përgjegjshëm për të vepruar, duke u angazhuar dhe duke marrë iniciativën. çdo krizë apo konflikt i rëndë - e ky që po kalon Shqipëria është vërtet i tillë - bëhet akoma dhe më i dëmshëm kur ajo që thyhet është ideja për politikën dhe instrumentet e kryerjes së saj, më tepër se sa vetë zhvillimi i jetës politike. Po gjithsesi, sa më e rëndë shfaqet kriza, aq më i mundshëm shfaqet edhe rasti i ringritjes. Ai mund të ngjajë edhe me një nisje të re apo me një rifillim. "Të mendojmë më thellë e parësisht për 'polis'-in: ky është rifillimi për Shën Agostinin. Që të kishte një pikënisje u krijua njeriu, - sqaron ai. Pra, për të ndërfutur në botë aftësinë e dhënies së një fillimi: lirinë".
Në njërin nga romanet e tij më sublimë, Jozef Konrad rrëfen takimin pikënisës të njeriut me rastin. Në rininë e hershme Lordi Xhim humbet rastin më të mirë të jetës, duke ia "dorëzuar" përmbytjes anijet që i kishin besuar: falë papjekurisë, padijes apo papërgatitjes. E gjithë jeta e tij, pas kësaj, shndërrohet në një kërkim gulçues të një rasti të ri, por pa e gjetur atë asnjëherë.
Ja, një analogji e tillë i shkon përshtat sjelljes së klasës sonë politike në raport me rastet e shumta që ka pasur dhe po shpërdoron Shqipëria, për hyrjen në udhën e një progresi të shpejtë e sistematik. Sepse e tillë është sfida, të tilla duhet të jenë raportet që ajo duhet të ketë me kohën. Nuk matet zhvillimi me ecje normale përpara, me sukseset, por me ritmet dhe periodicitetin e tyre. Si në rastin kur Lordi Xhim braktisi anijen, edhe në rastin tonë, mbi klasën politike shqiptare po fitojnë ato forca të shpirtit që të pengojnë të rilindësh, të rifillosh një kohë të re; po fiton forca e inercisë së politikës së vjetër, shikimi afatshkurtër, mospërgjegjshmëria e të kuptuarit përtej mendimit tënd, vetëkënaqësia e trishtë e revansheve dhe utopia e mospasjes së qartë të një exit-strategji.
Po a ia vlen të rifillojmë? Fernando Pesoa, poeti i madh portugez, ka të drejtë kur thotë: "Për gjithçka ia vlen, nëse shpirti nuk është i vogël". Gjithçka, edhe kalimi i "detit të errësirës", që mund të na presë pas kepit Bojador, siç përshkruhet në roman. Po përse vallë? Sepse në këtë det, duket sikur thotë njëri nga personazhet, "Zoti dhuroi rrezikun dhe humnerën, por në të pasqyroi edhe qiellin". Mund të rifillohet, pra, por duhet të kuptojmë se si. Aq më tepër që Lordi Xhim na mëson se vetëm ai që ka humbur raste të mëdha di të rizgjohet përsëri, di t'i njohë aspektet e kësaj humbjeje deri në thellësi, për ta transformuar kështu rizgjimin në qëllimin e një ekzistence të tërë. Ja, këtë gjë duhet t'i diktojë "polis"-i shqiptar politikës dhe një stine të saj të re. Ai duhet të dijë të intuojë në figurën e krizës konfliktuale praninë e këtij rasti të madh që po hapet për çeljen e një politike të re, këtij libero initium, këtij fillimi të lirë, që përcakton Shën Agustini. E për ta arritur një gjë të tillë duhet t'u bëjë thirrje të rizgjohen dhe angazhohen të gjitha kapacitetet e tij intelektuale, post-ideologjike dhe ideologjike, të pa angazhuara deri tani, qoftë edhe të anti dhe kundra politikës, që nuk janë marrë kurrë me të.
Po nga ana tjetër, cilët janë ata cilësorë që duhet të përvetësojë politika, për të kryer këtë fillim? Në radhë të parë, asaj i duhet të kuptojë se po e segmentizon e hendekëzon keq e më keq Shqipërinë. Shqipëria, për politikën, nuk mund të mendohet e nuk duhet të jetë një e tërë. Kemi dy segmente të Shqipërisë, që priren majtas dhe djathtas, ku më shumë e ku më pak, dhe kjo duhet të mendohet se ka qëndruar e pandryshueshme, pavarësisht luftës dhe kauzës së grevës së urisë. Askush dhe asnjë palë nuk arriti t'i marrë deri më tani revanshin popullor palës tjetër, kjo gjë tashmë u kuptua qartë. Por përkundrazi, ajo që s'arrihet të kuptohet është se ekziston edhe një "segmentizim" i një Shqipërie tjetër që shfaqet e vetme përballë politikës, përballë ndërkombëtarëve, aspiratave dhe syve të së ardhmes së fëmijëve të vet. Janë të gjitha këto segmente të një Shqipërie që politika s'arrin dot t'i përgjigjet, pa kuptuar se ajo s'i përket asaj, por "polis"-it shqiptar. është përpjekur vërtet ta administrojë gjatë gjithë kësaj kohe, por tashmë është rasti i madh që "polis"-i të arrijë të ngjitet në fuqi e të diktojë axhendën e politikës.
Më tej, i lipset të kuptojë se klima dhe pjekuria e aktorëve të saj, që po tregohen të paaftë të gjejnë një konsensus, duket të jetë një karakteristikë thelbësore e çdo perspektive të ardhshme. Ndaj është kategorike që në këto kushte të mos krijohet një precedent që do të na kthehet më pas në diktat. E së fundi, nuk mund të sublimohet asnjë lloj qëndrimi i politikës, asnjë kauzë, asnjë qëndrim kundra një kauze, por vetëm "polis"-i, qytetari, "intelektualiteti" i tij i shëndoshë, qasja e tij ndaj politikës. Mirëpo shihet se ato nuk përkojnë, edhe pse në copa të caktuara puqen. Atëherë, në një situatë të tillë ka vetëm një zgjidhje, është politika e detyruar të ndryshojë kahje. E këtë duhet ta bëjë urgjentisht, duke lëshuar në të dyja pozicionet e kundërta kordën e tendosur të ngjarjeve, në mënyrë që ekuilibri i "polis"-it shqiptar, që po e ruan me vështirësi drejtpeshimin, të mos prishet, e të mos i harxhojë më energjitë e tij në favor të politikës, por në favor të së ardhmes së vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›