E Diel, 1 Nëntor 2026

Shifra alarmante të vetëvrasjeve në rajonin e Pollogut

Rritet numri i vetëvrasjeve në rajonin e Pollogut. Deri më tani, brenda pak më shumë se shtatë muajve të këtij viti janë regjistruar 12 vetëvrasje apo tri më shumë se vitin e kaluar, i cili u mbyll me gjithsej 9 akte të tilla. Në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë thonë se përveç vetëvrasjeve janë regjistruar edhe mbi 20 tentime për vetëvrasje.

“Janë regjistruar 12 vetëvrasje, tetë në qytetin e Tetovës, kurse të tjerat në rrethinë dhe në Gostivar, apo tre më shumë sesa gjithë vitin e kaluar. Veç kësaj, në këtë periudhë janë regjistruar edhe 20 tentime për vetëvrasje, sidomos në rrethinën e Gostivarit. Vetëvrasjet janë kryer me tableta helmuese, preparate higjienike dhe toksina të tjera. Shumica e atyre që kryen vetëvrasje këtë vit janë burra deri në moshën 30 vjeçe, ndërsa më i riu që i mori jetën vetes ishte një 12 vjeçar. Shkaqet më të shpeshta të vetëvrasjes janë sëmundjet shpirtërore apo mentale, mosmarrëveshjet familjare, çështje të dashurisë e sëmundje të tjera”, deklaroi Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë, raporton Alsat-M.

Kjo dukuri deri vonë e panjohur në rajonin e Tetovë dhe më gjerë ka ngritur shqetësime në mesin e banorëve. Duke analizuar shkaqet e këtij fenomeni, psikologët thonë se ato mundë të jenë të shumta, duke filluar nga moskujdesi familjar shëndetësor e deri tek kriza ekonomike dhe mungesa e perspektivës.

“Janë arsye të shumta, por mbi të gjitha këto duhet në mënyrë sistematike shkencore e profesionale të elaborohen, pasi kjo është një dukuri komplekse psiko-sociale dhe në radhë të parë duhet elaboruar nga stafi profesionist psikiatrik, por këtu kanë vend edhe sektorë të tjerë për diskutime mendime të elaborohen gjërat si sektori psikologjik ai social teologjik pedagogjik e kështu me radhë. Të parandalohet në kuptimin absolut nuk ka mundësi, por mund të kufizohet ekspansioni që të mos vijë deri te një epidemi e vërtetë e vetëvrasjeve”, u shpreh Musli Ferati, psikiatër.

Ekspertët kërkojnë që në parandalimin e fenomeneve të këtilla duhet të kyçen institucionet përmes fushatave të ndryshme, por rol të madh në këtë mund të kenë edhe institucionet fetare meqë, sipas pikëpamjeve fetare, vetëvrasja është akt i ndaluar dhe i dënuar për shkak se vetëm Zoti ka të drejt të marrë dhe të japë jetë.  /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›