Shifrat e dhimbshme të krizës globale
Një tjetër vetëvrasje ka ndodhur në vendin fqinj. Kjo vetëvrasje ka ndodhur fill pas asaj të bujshmes që ndodhi me një ish - farmacist pensionist në Sheshin “Sintagma”, i cili i jepte fund jetës së tij sepse nuk donte që të kërkonte më për të ngrënë nëpër plehra. Kështu shkruhej në letrën e tij të lamtumirës të botuar nga shumë gazeta të shtypit grek. Situata është nga më të vështirat për Greqinë. Ndoshta origjina e kësaj krize mund të kërkohet tek bashkimi i shpejtë i Greqisë, siç është shprehur edhe Komisioneri për Çështjet Ekonomike dhe Monetare të Bashkimit Europian, Olli Rehn, me vendet e monedhës euro. Sipas Rehn ky ka qenë një gabim i madh. Një intervistë që është dhënë për një televizion finlandez ku spikaste padyshim fraza e tij: “Hyrja e Greqisë në Eurozonë ishte një gabim i madh”. Nisur edhe nga kriza greke Olli Rehn kishte nënvizuar se duhet rritur besimi tek tregjet duke bërë të ditur ndërkaq se nisur nga situata e krijuar, edhe vende si Letonia, Lituania dhe Polonia, të cilat janë kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin monetar, duhet të presin ende për këtë. Por ndërkaq shifrat më alarmuese për vendin fqinj, vijnë nga Unicef në bashkëpunim edhe me Universitetin e Athinës. Në Greqi po ndodh diçka që nuk kishte ndodhur më parë në një vend perëndimor që prej fundit të luftës së dytë botërore. Flitet për kushtet e fëmijëve. Sipas sondazhit të Unicef dhe Universitetit të Athinës - (“Kushtet e fëmijëve në Greqi , për vitin 2012’), - në vendin fqinj janë tashmë 439. 000 fëmijë që jetojnë poshtë kufirit të varfërisë - të kequshqyer dhe në kushte të mjerueshme në familje të cilat në vetvete përfaqësojnë 20,1% në total. Unicef ka marrë në konsideratë një rrogë minimale që një familje prej katër personash duhet të disponojë çdo muaj e cila do të shërbejë për të paguar qeranë, ushqimet, transportin, veshjet dhe shkollimin. Ndërkaq, një e pesta e familjeve greke ka një dietë të varfër proteinash, 37% e tyre nuk kanë ngrohje në shtëpi, 27,8% jetojnë në ambiente me lagështirë dhe 23,3% jeton në shtëpi të përcaktuara si shtëpi me kushte të këqija. Thënë ndryshe, 21% e grekëve jetojnë në varfëri, me një rrogë prej 470 eurosh. Të tjerë akoma shtojnë se shifra mund të arrijë në 25%, pra sipas tyre një në katër grekë është i varfër. Pra sipas sondazhit, në shifrën absolute të 11, 2 milionë grekërve, 2 milionë dhe 800 mijë nuk elementët kryesorë të jetesës. Sipas një sondazhi tjetër, këtë herë ai i Shoqërisë greke për luftën kundër varfërisë, si pasojë e krizës aktuale, në Greqi numërohet rreth 30% e popullsisë nën kufirin e varfërisë. Ky sondazh i fundit është konfirmuar edhe nga një studim i Fondacionit për Kërkimin Ekonomik dhe Industrial. Në këtë lumë shifrash nuk mungon edhe Instituti Kombëtar i Statistikave të Greqisë (Elstat) sipas të cilit mbi 400 mijë familje janë tashmë pa të ardhura sepse asnjë prej familjarëve nuk ka më një vend punë ndërsa 60 mijë familje nuk arrijnë që të paguajnë këstet e kredive të tyre. Faktor kryesor për këtë janë uljet e pensioneve dhe të pagave. Nuk mungojnë padyshim sipas këtyre raporteve edhe rastet e shumta kur fëmijët e paushqyer shfaqin probleme shëndetësore në klasë si pasojë e kequshqyerjes të tyre. Madje Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës të Athinës, Maria Iliopoulou, kohë më parë ka bërë një denoncim sepse brenda pak javëve ka regjistruar 200 raste me fëmijë që ishin ushqyer keq sepse prindërit e tyre nuk ishin në gjendje që t’i ushqenin. Drejtoresha Maria Iliopoulou, kishte konfirmuar se mësueset e fëmijëve rrinin në radhë të gjata për të marrë një pjatë gjellë për disa prej nxënësve. “Në shumë shkolla të Athinës situata është akoma dhe më dramatike sepse ka patur shumë raste me fëmijë që kanë rënë pa ndjenja në klasë nga uria” – ka nënvizuar Iliopoilou. Edhe Ministria e Arsimit Publik e vendit fqinj të Greqisë pasi e kishte përcaktuar më parë si propagandë këtë fakt më në fund e ka pranuar këtë situatë të dhimbshme duke marrë edhe disa masa dhe duke shpërndarë ushqime nëpër shkolla. Si mos të mjaftonte kjo, tashmë në Greqi – sipas Unicef dhe Universitetit të Athinës në vendin fqinj është kthyer edhe puna e të miturve. Për një vend perëndimor si Greqia shifrat e Unicef në bashkëpunim edhe me Mbrojtësin Civil të fëmijëve janë shumë të larta. Në Greqi mund të numërohen rreth 100 mijë fëmijë që punojnë për të ndihmuar familjet e tyre.
...