Shijak, dy të vdekur dhe dy të plagosur gabimisht në një pritë
Një krim i rëndë është shënuar gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në Shijak, teksa dy persona janë vrarë, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Viktimat e këtij krimi janë Mariglen Avdullai dhe Blerim Kërtalli, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur Altin Brahimi, 28 vjeç dhe Altin Abdyli, 33 vjeç, të cilët u shoqëruan menjëherë për në spital.
Këta të fundit po udhëtonin të katërt së bashku me një automjet, ndërkohë që janë qëlluar nga persona të paidentifikuar.
Por, pak orë pas krimit, policia ka arrestuar një të dyshuar, i cili mendohet se është autori i sulmit me armë. I arrestuari është Emiljan Pema.
Ky i fundit ka deklaruar në polici se u ka zënë pritë personave të gabuar. Vrasësi deklaroi se makina me të cilën udhëtonin të rinjtë e ekzekutuar, ishte e njëjtë me atë të personave me të cilët ai kishte pasur një sherr të çastit.
Tashmë policia është duke hetuar për të gjetur motivet e këtij krimi të rëndë.