“Trashëgimtarët”, skaneri i një partie
“Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen, kush kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën”. Me këtë citat të George Orwell Luljeta Progni të fton të ndërmarrësh një aventurë leximi, në librin e saj “Trashëgimtarët”. Libri i munguar për historinë e partisë më jetëgjatë në Shqipëri, Partisë Socialiste. Një e vërtetë për të kaluarën dhe të tashmen tonë, e ndoshta një parashikim i mirë për të ardhmen. Luljeta Progni, pasi ka ushtruar për një kohë të gjatë profesionin e gazetares, reporteres së politikës, ka vendosur të shkojë më tej duke u dhënë përgjigje pikëpyetjeve që mund t’i kenë lindur asaj fillimisht në kokë, por në këtë mënyrë rreket t’u japë përgjigje dhe pikëpyetjeve tona. Historia e një partie që mbart në vetvete historinë e Shqipërisë. Të pathënat dhe kontradiktat që kanë shënuar mbijetesën e një krijese politike, ndoshta më jetëgjata e këtij lloji, që mbart në vetvete të pathënat e historisë sonë të përbashkët. Me redaktim të Lutfi Dervishit dhe me një parathënie të ndierë të prof.Artan Fugës, libri “Trashëgimtarët” është një udhërrëfyes i mirë dhe për të rinjtë që ndoshta s’kanë pas lindur në ato kohë të trazuara, por që duan të njohin fillesat e këtij sistemi, i cili nuk mund të kuptohet pa njohjen e fillesës së PS-së. Plot informacione, dëshmi të rralla të protagonistëve dhe një këndvështrim analitik për Partinë Socialiste, rrënjët e saj në Partinë e Punës. Mbi dyzimin që karakterizon këtë parti, e cila ishte e vetmja që i mbijetoi shembjes së murit komunist nga simotrat e saj në Evropën Juglindore. Në librin e Prognit, PS na shfaqet si një parti kontroverse, që shpesh herë i bie të udhëhiqet dhe nga liderë të tillë. Autorja jo pa dashje thekson disa herë se kjo parti nuk u distancua kurrë nga e kaluara e saj, nga PPSH-ja, e cila mban përgjegjësinë për krimet e komunizmit e vuajtjet që i shkaktoi këtij vendi. Megjithëse në krye të saj më së fundmi ka ardhur njeriu që ndoshta në vitin 1991 do të dukej më i papërshtatshmi për këtë punë, përsëri PS vazhdon të jetë trashëgimtarja e partisë mëmë në një mënyrë a një tjetër. Ata që presin të lexojnë një analizë politike me të cilat jemi mësuar, plot me mendime personale e subjektivizëm do të zhgënjehen. Luljeta Progni nuk rreket t’i fusë në kokë askujt asnjë mendim personal të sajin politik, ajo sjell vetëm fakte, dëshmi dhe ndërton një histori që ka munguar, por që duket se ka qenë e nevojshme. Në këtë libër studimor, me guxim ajo hedh poshtë tezën e dy prej historianëve me famë botërore që janë marrë veçanërisht me Shqipërinë, James Pettifer dhe Miranda Vickers, sipas të cilëve Ramiz Alia e dëshironte më herët pluralizmin, por Byroja politike e kundërshtoi në bllok.