E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat lënë dy qytete pa ujë

Shirat e rrëmbyeshëm që kanë përfshirë Qarkun e Beratit prej disa ditësh kanë krijuar probleme serioze në këtë zonë. Kreu i Bashkisë së Çorovodës ka dhënë alarmin, duke njoftuar edhe instancat e larta të shtetit për një problem serioz për qytetin. I kontaktuar në telefon nga gazeta, kryetari i Bashkisë së Çorovodës, Lefter Lame, sqaron se shiu që vazhdon të bjerë ka sjellë prurje të mëdha të përroit të Guhakut, duke rrezikuar seriozisht ujësjellësin e qytetit. Ai ka sqaruar më tej se prurjet e rrëmbyeshme pritet të këpusin sërish tubacionin kryesor të ujësjellësit, në afërsi të depove të tij, rreth 4 km larg Çorovodës. "Në mesditë kam vënë në dijeni edhe ministrinë e METE, por gjithsesi është një fuqi madhore dhe nuk mund të ndërhyhet. Këputja e tubacionit kryesor do të ndodhë patjetër dhe qyteti pritet të mbetet pa ujë me ditë deri dhe me javë të tëra, siç ka ndodhur edhe herë të tjera", ka paralajmëruar dje kreu i bashkisë, Lame. Ndërkohë që shirat kanë krijuar probleme me rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm. Problemet e krijuara në ujësjellësin e Bogovës kanë lënë pa ujë të pijshëm mbi 85 mijë banorë të Beratit dhe Poliçanit, që furnizon ky ujësjellës.

M.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›