Zelanda e Re bëhet shteti i 63-të
Zelanda e Re ka marrë vendim për të njohur Republikën e Kosovës. Njohja është bërë përmes aktit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, respektivisht përmes dhënies së pëlqimit (agremanit) për akreditimin e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Britaninë e Madhe, Muhamet Hamiti, si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Zelandën e Re, rezident në Londër. Njoftimin e ka bërë sot Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Zelandës së Re, përmes një note diplomatike dërguar ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni. Zelanda e Re është shteti i 63-të që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas Hysenit, ka shtete që presin ta bëjnë së shpejti njohjen menjëherë pas dhënies së vendimit nga GJND-ja. "Ka vende që janë në pritje të procesit të vlerësimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në GJND, dhe ne bëjmë përpjekje të vazhdueshme që këto vende t‘i bindim ta ndryshojnë mendimin. Duke folur për mundësitë e njohjes së Kosovës nga vendet anëtare të Konferencës Islamike, ministri Hyseni tha se: "Kosova ka kontakte të vazhdueshme me Konferencën Islamike. Kosova është përherë në axhendën e kësaj konference", tha ai dhe shfaqi shpresën se vendet anëtare të kësaj konference do ta njohin së shpejti pavarësinë e Kosovës. "Po theksoj se lajmi i mirë është se të gjitha vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, me disa përjashtime, e kanë përherë në axhendë çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe është vetëm çështje kohe se kur do ta marrin ato vendimin për njohje", theksoi Hyseni.