Ahtisari, kritika Spanjës dhe Greqisë për Kosovën
Nobelisti i paqes, Marti Ahtisari, ka bërë thirrje që Serbia të mos pranohet në Bashkimin Europian nëse nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Deklarata e ish-presidentit finlandez, i cili u nderua vitin e kaluar për hartimin e planit për krijimin e shtetit të Kosovës, duke folur në një të përditshme spanjolle u shpreh me fjalë të ashpra edhe ndaj Madridit zyrtar, por edhe Athinës, të cilët ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, që u shpall më 17 shkurt të vitit 2008. "Të gjitha ato vende që duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian dhe veçanërisht ato nga Ballkani, duhet të njohin pavarësinë e Kosovës", ka deklaruar nobelisti Marti Ahtisari në një intervistë për gazetën spanjolle "El Mundo". Ahtisari ka qortuar Spanjën dhe Greqinë që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka shtuar se "Kosova është rast unik", për të vënë në pah se "Millosheviçi në vitet ‘90-të kishte dëbuar nga puna shqiptarët, kishte dërguar kundër tyre ushtrinë, që kishte nxitur reagimin ushtarak të tyre dhe intervenimin ndërkombëtar". "Edhe serbët duhet ta kuptojnë këtë fakt të pakontestueshëm, sepse jemi në shekullin 21 dhe nëse ndonjë qeveri vepron si ajo e Millosheviçit humb të drejtën për të qeverisur", ka deklaruar ish-presidenti finlandez. Ahtisari gjithashtu ka theksuar se Kosova ka përparuar, ka hyrë në institucionet ekonomike ndërkombëtare dhe mund të bëhet furnizues i rajonit me energji, ndonëse do të duhen vite për të parë frytet e investimeve atje. Ndërkohë, edhe përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë ka lëshuar një alarm të fortë ndaj serbëve të Kosovës. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian në Kosovë, Pieter Feith ka tërhequr vërejtjen se serbët rrezikojnë të humbin pushtetin lokal, nëse nuk marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Duke folur për mediat serbe, Feith tha se nëse ka bojkot nga serbët, nuk do të ketë emërim të përfaqësuesve serbë në postin e kryetarit në Shtërpcë dhe Novobërdë. Sipas tij, serbët do të jenë të përfaqësuar në asambletë komunale, por nëse nuk marrin pjesë në masë të madhe në votime, mund ta humbasin postin e kryetarit të komunës. Por zyrtari i lartë europian shfaqi besimin e tij se dalja e serbëve në zgjedhje nuk do të jetë e vogël. Me gjithë deklaratat e Beogradit se nuk ka kushte për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës, 22 subjekte politike nga ky komunitet janë në garë për të marrë pushtetin në komuna. Ndërkohë sipas një sondazhi, 28 për qind e serbëve nga Graçanica do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, 40 për qind janë të pavendosur dhe 32% janë kundër pjesëmarrjes. Javën e ardhshme zhvillohet një eveniment i rëndësishëm ndërkombëtar, ku Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të shqyrtojë legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, pas kërkesës së bërë nga Serbia. Prishtina zyrtare bëri të ditur se i ka bërë të gjitha përgatitjet e saj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, bëri të ditur se institucionet e Kosovës i kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për procesin e vlerësimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), në Hagë, i cili fillon më 11 dhjetor. "Republika e Kosovës i ka bërë përgatitjet e nevojshme që edhe në pjesën përfundimtare të procesit të vlerësimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës të paraqitet në mënyrë dinjitoze dhe bindëse, i ka bërë të gjitha përgatitjet që të dëshmojë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë akt legjitim, ka qenë rrumbullakësim i aspiratave të popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur", tha ministri Hyseni në konferencën e djeshme për shtyp. Hyseni tha se përfaqësuesit e Kosovës do të shkojnë në Hagë me besim të plotë në pavarësinë e GJND. "Ne vazhdojmë të besojmë fuqishëm në paanshmërinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo është arsyeja që ne në Hagë do të shkojmë me optimizëm dhe me besim të palëkundur në drejtësinë", theksoi ministri Hyseni.