KQZ, gati për zgjedhjet e 15 nëntorit
Janë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, ndërsa është përgatitur një listë alternative prej 74 qendrave të votimit, në komunat me shumicë serbe në rast se do të ketë ndonjë problem me vendvotimet. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se pret që zgjedhjet e së dielës të kalojnë pa probleme. Pas thirrjeve për bojkot të zgjedhjeve dhe për pengimin e mbajtjes së vendvotimeve në disa vendbanime me shumicë serbe, KQZ-ja, në bashkëpunim me partitë politike, ka gjetur lokacione alternative për të votuar në rast se do të ketë probleme dhe pengesa në ndonjë qendër votimi, tha ajo. "Jemi konsultuar edhe me subjektet politike dhe kemi bërë një listë të vendeve të mundshme alternative për këto komuna", tha Lushta. Ndërkaq, sipas anëtarit të KQZ-së nga Partia Liberale e Pavarur Goran Zdravkoviq, votuesit dhe partitë politike serbe janë njoftuar me kohë për ndërrimin e mundshëm të vendvotimeve dhe konkretisht në Graçanicë. Pra, tha ai, janë qendra të tjera dhe për këtë janë njoftuar me kohë partitë politike dhe qytetarët. Në zgjedhjet e 15 nëntorit, mbi 1.5 milionë qytetarë do të kenë të drejtën e votës.