Elbasan; Arrestohet kryeinspektori i Policisë Ndërtimore për abuzime
Policia ka ndaluar kryeinspektorin e Policisë Ndërtimore në Elbasan, Kujtim Hazbiu, pasi akuzohet për abuzime. Ai dyshohet se e ka kryer këtë vepër penale në kohën kur ka qenë kryetar i Komisionit për të Pastrehët në Elbasan. Sipas burimeve nga policia, Hazbiu dyshohet se ka kryer abuzime në kohën e drejtimit të Komisionit për Dhënien e Banesave shtetasve të pastrehë. Abuzimet janë kryer gjatë procedurës së përzgjedhjes, si dhe përmes ndryshimit të destinacionit të objekteve të vëna nga qeveria në shërbim të familjeve të pastreha. Pas fillimit të hetimeve, Hazbiu është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje.