E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiste heroinë pranë shkollës, pranga 19-vjeçarit



TIRANË – Shiste heroinë pranë shkollës, arrestohet 19-vjeçari. Policia e Tiranës njofton se ka vënë në pranga shtetasin Nertil Bedri Murraj, i cili është arrestuar në afërsi të shkollës “Lidhja e Prizrenit” duke shitur drogë. Policia kishte arritur të siguronte informacione të mjaftueshme për aktivitetin e tij kriminal. Gjatë kontrollit të ushtruar, Murrajt i janë gjetur 20 doza heroinë, të cilat ishin gati për shitje. Pas peshimit të tyre rezultoi se ishin 7.3 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë, e ndarë në pjesë, e gatshme për t’u konsumuar. Menjëherë pas arrestimit mësohet se 19-vjeçari është dërguar në polici, ku është marrë në pyetje. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje është duke hetuar lidhur mbi origjinën e drogës, si dhe mbi personat e mundshëm me të cilët mund të ketë bashkëpunuar Murraj. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”. Përdorimi i drogës nga nxënësit dhe studentët, por dhe shitja e saj pranë shkollave, është kthyer në një problem serioz për Policinë. Rasti i djeshëm ka vënë në alarm policinë, e cila edhe herë të tjera ka arrestuar shitës droge pranë ambienteve të shkollave, por në të gjitha rastet ata shisnin hashash ose lëndë të tjera narkotike, jo aq të rënda. Por gjetja e një sasie të konsiderueshme heroine pranë ambienteve të një shkolle është shumë shqetësuese.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›