E Diel, 1 Nëntor 2026

BE kërkon monitorim të aktivitetit bankar në Shqipëri



Ervin KOÇI

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri përveç monitorimit nga Banka e Shqipërisë, në cilësinë e Autoritet Qendror Mbikëqyrës, tashmë do të vëzhgohen indirekt edhe nga Bashkimi Europian. Ky i fundit duke kërkuar standarde nga shteti shqiptar për të gjitha aktivitet që kanë lidhje me stabilitetin ekonomiko-financiar, ka vendosur që të ketë edhe një transparencë sa më të madhe edhe për sektorin bankar në vend. Monitorimi i veprimeve bankare sa u takon komisioneve për shërbime të ndryshme po kryhet nga Autoriteti i Konkurrencës me porosi të drejt për drejtë të BE-së. Pikërisht metodologjia që po ndiqet për monitorimin e tregut bankar është marrë nga BE-ja, e cila synon vëzhgimin nga afër të sektorit financiar në vend. Pas rasteve të shumta të rritjes së komisioneve bankare në mënyrë jo transparente, duke marrë edhe rekomandimin e Kuvendit të Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës nisi vëzhgimin e tregut që në mesin e vitit 2009. Kreu i këtij Autoriteti, Lindita Lati ka thënë se, Autoriteti nuk po bën hetim, por po monitoron tregun, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga BE, në mënyrë që sektori bankar të jetë sa më transparent. Ndërkohë një grup ekspertësh të sistemit bankar ka vënë në dispozicion të autoritetit edhe BSH-ja, duke pasur përgjegjësinë direkte për mbarëvajtjen e këtij sektori.

Kontrolli i shërbimeve
Tendenca e rritjes së komisioneve bankare u vu re në verën e vitit të kaluar, kur klientët u gjendën para një fakti të kryer, pa u paralajmëruar. Shqetësimi i BE-së në këtë rast, e cila ia ka transmetuar edhe Autoritetit të Konkurrencës, mbetet mungesa e transparencës nga bankat, gjë që mund të shkaktojë reagime të forta nga konsumatorët. Autoriteti i Konkurrencës do të gjykojë sjelljen e bankave përballë konsumatorit. Por bankat e nivelit të dytë pritet t’i nënshtrohen hetimit jo vetëm nga Autoriteti por edhe nga BSH-ja si institucioni qendror financiar i vendit, që me sa duket këtë herë do të bashkojë forcat me një tjetër institucion kushtetues. Vendimi është marrë në kushtet e ndryshimeve të shumta brenda një periudhe të shkurtër në shërbimet bankare që ka shkaktuar ankesa nga ana e qytetarëve, por edhe biznesit. Në lidhje me këtë çështje, përfaqësuesit e AK-së, shprehen se bankat në Shqipëri duhet të kujdesen më shumë për klientët e tyre. Kjo për arsyen se ky treg e ka kaluar fazën e fillestare të ngritjes së biznesit. Komuniteti i biznesit dhe individët ankohen në mënyrë të vazhdueshme për kostot e larta, me të cilat përballen ndaj shërbimeve që ofrojnë bankat. Në shumë raste këto kosto nuk bëhen transparente, çka detyroi Bankën Qendrore të hartonte një rregullore të posaçme për mënyrën se si bankat e nivelit të dytë duhet të informojnë publikun.

Komisionet
Rënia e sasisë së kredive që bankat kanë dhënë, si edhe rritja relative e numrit të kredive të këqija ka bërë që ato të kenë bilance më të rënduara dhe fitime më të ulëta. Prej disa kohësh në të gjitha bankat e nivelit të dytë ka nisur të rriten komisionet bankare që ato marrin për çdo transaksion që bën biznesi. Kjo është bërë vetëm që fitimet të mund të kthehen në nivelin e mëhershëm. Në bazë të ligjeve shqiptare çdo subjekt biznesi duhet të kalojë nëpërmjet bankave 90% të gjithë parave të tij, të cilat i përdor për shitje-blerje mallrash, pagesa pagash apo detyrimesh etj. Të gjitha këto transaksione janë të detyruara të paguajnë një komision ose e thënë ndryshe një taksë që e mban banka për shërbimin që ofron. Vlera e saj është rritur dhe mesatarisht ka shkuar në mbi 2,5%, gjë që do të thotë se për 90% të parave të biznesit bankat janë duke marrë fitime të mëdha. Ndërkaq, komuniteti i bizneseve vendase ka deklaruar se do t’i kërkojë qeverisë që të ndryshojë ligjin dhe të mos detyrojë biznesin të kalojë nëpërmjet bankave 90% të parave, pasi kostoja është shumë e lartë dhe ai nuk ka mundësi të paguajë pará në këtë mënyrë

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›