Prokuroria kërkon dënimin me 10 milionë lekë gjobë për Neranxin
Laureta Rryçi
Prokuroria e Tiranës i kërkoi dje gjykatës të deklarojë fajtor biznesmenin dhe ish-deputetin e LSI-së, Nikollaq Neranxi, për akuzën e kontrabandës. Dënimi që duhet t’i jepet Neranxit, sipas institucionit të akuzës, është 10 milionë lekë gjobë. Neranxi akuzohet të jetë i implikuar në 21 raste kontrabandë të mallrave që tregton kompania e tij nga Greqia në Shqipëri, duke i shkaktuar shtetit një dëm që kap vlerën 13 milionë e 664 mijë lekë. Akuza bëri të ditur dje se që nga viti 2001 deri në gusht 2004, Neranxi ka kaluar mallra të ndryshme kontrabandë si kaseta, albume fotografike, CD apo filma fotografike. Ka qenë fillimisht Prokuroria greke ajo që filloi hetimet ndaj një shoqërie të këtij vendi me emrin “SALCOFOST”. Sipas Prokurorisë, në aktet e administruara gjatë hetimit paraprak rezulton e provuar se blerja, transporti dhe mosdeklarimi para autoriteteve doganore shqiptare për 21 faturat e hetuara është realizuar nga i pandehuri Nikollaq Neranxi, i cili në këto kushte rezulton të ketë konsumuar plotësisht veprën penale për të cilën akuzohet.
Hetimet
Sipas Prokurorisë, autoritetet doganore greke, me anë të një shkrese, kanë kërkuar asistencën e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës për një hetim administrativ të nisur në Greqi ndaj shoqërisë greke “SALCOFOT” A. E. Selanik, përfaqësuar nga shtetasi Salvator Kunio, për periudhën 2001-2004. Bashkëlidhur me këtë shkresë, autoritetet doganore greke kanë dërguar dhe kopje të faturave dhe deklarimeve doganore të eksportit, nga të cilat evidentohet se: për 21 raste faturat e kësaj shoqërie i janë lëshuar klientit I. T., me banim në Tiranë. Malli është deklaruar për eksport në Degën Doganore greke Kastoria dhe është transportuar në drejtim të Shqipërisë me disa kamionë me targa shqiptare. Kamionët që kanë bërë transportin kanë qenë; njëri në pronësi të S. D. dhe katër të tjerë në pronësi të babait të të pandehurit. Nga verifikimet e kryera nga ana e doganës shqiptare dhe nga hetimet e kryera nga prokuroria, rezulton se kamionët e deklaruar si transportues përpara autoriteteve doganore greke, në vijim kanë kryer procedurën tranzit në degën doganore Kapshticë dhe procedurat e zhdoganimit në Tiranë. Ndërsa në çdo rast janë deklaruar disa artikuj të tjerë, të dhënat e praktikave doganore respektive në Kapshticë e Tiranë, tregojnë se artikujt e blerë në Greqi nga shoqëria “SALCOFOT” A. E. kanë hyrë në territorin e vendit tonë, nuk janë deklaruar si të importuar dhe nuk janë zhdoganuar duke mos paguar detyrimet doganore që kapin shifrën prej 13 664 916 lekësh.
Akuzat
Sipas Prokurorisë, në aktet e administruara nga ajo gjatë hetimit paraprak rezulton e provuar se blerja, transporti dhe mosdeklarimi para autoriteteve doganore shqiptare për 21 faturat e hetuara është realizuar nga i pandehuri Nikollaq Neranxi, i cili në këto kushte, sipas organit të akuzës, rezulton të ketë konsumuar plotësisht veprën penale për të cilën akuzohet. Në datë 7 prill 2008, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën e “kontrabandës me mallra të tjerë”. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve të kryera në lidhje me këtë procedim penal, ka arritur të provojë se 21 rastet që kishte marrë në hetim, përbënin vepër penale dhe se ka dyshimin që deputeti Neranxi të ketë kryer këtë vepër. Në këto kushte, me vendimin e datës 05.01.2009, Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë, duke i dërguar aktet Prokurorisë së Përgjithshme. Pas një odiseje, dosja u vendos të gjykohej në Gjykatën e Tiranës në ditët e fundit të vitit që lamë pas. Pa kaluar dy muaj nga nisja e gjykimit duket se dosjes do t’i vijë edhe fundi.
Hetimi në Greqi për 15 mijë maune kontrabandë drejt Shqipërisë
Pak javë më parë autoritetet e Athinës nisën një hetim për një skemë korrupsioni në doganat mes Greqisë dhe Shqipërisë. Për një periudhë 2-vjeçare ishin futur në vendin tonë rreth 15 mijë maune kontrabandë, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar shtetit fqinj. Për këtë çështje, mbërriti në Shqipëri javën e kaluar një delegacion i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Greqisë, të cilët zhvilluan takime me autoritetet shqiptare në lidhje me këtë skemë evazioni fiskal. Ministria e Brendshme në Greqi vuri nën hetim 10 punonjës dogane dhe oficerë që shërbenin në pikat e Kakavijës dhe Kapshticës. Ata kishin ngritur një skemë korruptive duke fituar me qindra e mijëra euro përmes lejimit të maunave me mallra kontrabandë, të cilat futeshin në tregun shqiptar pa paguar taksat. Pas hetimeve që u bënë, u zbuluan paratë që ishin ndarë mes grupit dhe kjo çoi në shkarkimin e punonjësve të sistemit doganor në vendin fqinj.
10 Mars 2010