E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga taksistit, transportonte emigrantë shqiptarë nga Sllovenia në Austri



AUSTRI - Vihet në pranga një taksist që transportonte në mënyrë të paligjshme emigrantë shqiptarë nga Sllovenia në Austri.
Autoritetet vendore thanë se një patrullë policie e ndaloi shoferin 57-vjeçar në kohën kur po tentonte të trafikonte një shtetas shqiptar nga Maribori, Slloveni, në drejtim të Vjenës.
Arrestimi i taksistit u bë në autostradë. Gjatë kontrollit në taksi, policët gjetën 26-vjeçarin shqiptar të fshehur. Shqiptari i tha policisë se kishte marrë taksinë në Maribor të Sllovenisë dhe po drejtohej për në Vjenë, pasi taksisti i kishte thënë se kjo ishte e mundur të realizohej.
I riu shqiptar tha gjithashtu se e kishte kaluar në mënyrë të paligjshme rrugën nga Shqipëria në Slloveni dhe pasi kishte mbërritur aty, kishte telefonuar taksistin, pasi numrin e tij ia kishin thënë duke i treguar se mund ta transportonte ilegalisht në Austri. Shqiptari është gjobitur dhe më pas është dëbuar në Slloveni, ku pritet të riatdhesohet në Tiranë.

Arrestohet inspektori i Hekurudhës, nuk denoncoi vjedhjen

DURRËS – Pranga Inspektorit të shërbimit në stacionin hekurudhor të Sukthit në Durrës, pasi policia e akuzon për tentativë vjedhjeje dhe moskallëzim krimi. Ngjarja ka ndodhur në orën 00:15 të ditës së djeshme, në stacionin hekurudhor Sukth. Policia tha se i arrestuari është 54-vjeçari Sulejman Kërtalli, lindur e banues në Shijak. Pasi ka përcjellë në stacion trenin e mallrave të ngarkuar me skrap, ka konstatuar në tokë një sasi të konsiderueshme hekuri skrap të vjedhur nga vagonët, që kap vlerën e 150 mijë lekëve. Për këtë vjedhje, si dhe për autorët e saj, Kërtalli nuk ka bërë kallëzim penal në polici dhe as ka njoftuar Drejtorinë e Hekurudhave. Por ngjarja është zbuluar dhe policia nisi një hetim që solli prangosjen e tij, kurse materialet procedurale për veprat penale të vjedhjes së mbetur në tentativë e moskallëzimit të krimit i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›