E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godinat e banimit, shumë energji harxhohet kotë për ngrohje



Eficienca e energjisë në ndërtesat publike ishte tema e seminarit që u mbajt dje në Ministrinë e Ekonomisë. Ky seminar u zhvillua në bashkëpunim me “KfW” dhe kishte si synim të sensibilizojë faktin se energjia elektrike në godinat e banimit dhe mjedise të tjera, nuk menaxhohet aspak mirë duke shkaktuar humbje të ndjeshme. Në këtë seminar, askush nuk foli për faktin e tarifave të energjisë për mjediset e përbashkëta (shkallë, korridor e ashensor) që u mbahen banorëve të pallateve, kryesisht atyre të ndërtuar pas viteve ’90, janë kaq të larta sa arrijnë të njëjtën vlerë me atë që një familje harxhon në banesën e saj. Seminari u hap nga zëvendësministri i Ekonomisë, z. Leonard Beqiri. Në fjalën e tij, zv.ministri Beqiri tha se, METE është duke përgatitur ligjin për eficencën e energjisë, bazuar në direktivën 2006/32/EC të Bashkimit Europian. “Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me donatorët, përfshirë ‘KfW’ për përfundimin e këtij ligji në përputhje me zhvillimin e sektorit energjetik në vend”, u shpreh Beqiri. Sipas tij, eficienca e energjisë lidhet ngushtë me reduktimin e humbjeve dhe konsumit të energjisë, çka dhe është një angazhim i qeverisë në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës e protokollin e Kyotos. Zv.ministri theksoi se, plani i veprimit për eficiencën e energjisë përcakton masa të qarta që duhen ndërmarrë në vitet e ardhshme dhe për të cilat METE është plotësisht e angazhuar. Ndërsa theksoi se shembuj më domethënës në eficiencën e energjisë janë ndërtesat publike, zv.ministri Beqiri tha se qeveria do të mbështesë zbatimin e këtyre iniciativave, në radhë të parë, në institucionet publike. Fjalën në seminar e mori dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Taulant Musabelliu, i cili theksoi rëndësinë e eficiencës së energjisë. Ai tha se tashmë është hartuar dhe Plani Kombëtar për Energjinë. Për eficiencën e energjisë folën edhe përfaqësues të “KfW” znj. Paulëitz dhe z. Drillisch, të cilët theksuan bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë. Ata theksuan gjithashtu se “KfW” ndërmjet këtyre nismave përpiqet të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit.

Fratini: Nukleari, midis Italisë dhe Shqipërisë

Italia ende nuk e ka të qartë se ku do ta ndërtojë centralin nuklear për prodhimin e energjisë elektrike, por konfirmon faktin se ka hyrë në bisedime konkrete me partnerë të mundshëm, ku nuk mungon Shqipëria. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, i është përgjigjur interesimit të medias, gjatë konferencës për “skenarët e zhvillimit të rajonit përreth Adriatikut dhe Ballkanit”, duke u shprehur jo qartësisht rreth projektit nuklear. Megjithatë ai siguroi se Italia është e interesuar për zhvillimin e sektorit energjetik dhe rritjen e pavarësisë përmes funksionimit të centralit nuklear. Për momentin qeveria e Berluskonit është në dilemë për të qenë pjesëmarrëse në nuklearin slloven KRSKO, ta ndërtojë në Shqipëri apo ta zhvillojë në vendin e saj. “Po, Italia është pro centraleve në vendin e saj, e në këtë rast edhe në Shqipëri apo në Slloveni, e për këtë janë zhvilluar negociata për konkretizimin e njërit prej varianteve”, tha dje Fratini. Projekti nuklear, aq i dëshiruar nga Kryeministri Berisha, ndizet gjithnjë kur zhvillohen takime të rangut të lartë Shqipëri-Itali, por pa një ide të qartë. Hartimi i projektit, zbatimi dhe më pas operimi i tij, kërkon kujdes të madh, eksperiencë, kohë dhe më e rëndësishmja fonde të konsiderueshme, që qeveria shqiptare nuk i ka.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›