Shiten kapela dhe syzet e Lennon
Kapela të cilën John Lennon e mbante gjatë turneut në Amerikë, më 1965, bashkë me syzet e tij të famshme të diellit, do të mund të blihen gjatë ankandit që do të mbahet më 9 gusht, njofton gazeta britanike ‘The Guardian’.
Pritet që kapela dhe syzet e Lennon të kalojnë çmimin prej 10,000 funtash. Megjithëse, shumëkush pajtohet se koleksionistët e vërtetë nuk do të kursehen për të poseduar “relikte të tilla”.
Kapelën dhe syzet Lennon ia kishte dhuruar axhës së tij, Charlie Lennon.
Ato pastaj, nga axha i tij i kishte blerë amerikani Larry Warren, i cili jeton në qytetin e lindjes së Lennon, në Liverpool, dhe që është një adhurues i flaktë i grupit The Beatles.
Përndryshe, objektet e ndryshme që u përkisnin pjesëtarëve të grupit The Beatless vlerësohen shumë nga koleksionistët dhe nga adhuruesit e veprave të Lennon. Në një ankand të organizuar kohë më parë, teksti i shkruar me dorë nga Lennon për këngën e vitit 1967, “A Day In The Life”, arriti çmimin prej 1.2 milionë dollarëve.