E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e ‘Albpetrol’, Naço: Siguron fonde, PS: I mungon transparenca

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë nisi shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme në fushën ekonomike, në drejtësi, arsim etj. Debate për privatizimin e "Albpetrol"-it. Naço: Privatizimi 100% siguron fonde për shtetin. Opozita kundër.

AHMETAJ: FORMULA E PRIVATIZIMIT, KORRUPTIVE
Ora: 12:00 - Sipas deputetit socialist Arben Ahmetaj, kjo nuk është koha e duhur për privatizimit e Albpetrol-it.

“Formula e privatizimit është artificiale dhe korruptive. Nuk duam që Albpetrol-i të privatizohet 100%, pasi nuk është koha e duhur. Investitorët strategjik provohen gradualisht, sepse bëhet fjalë për një aset që mund të vlejë miliarda dollarë Nafta e gazi mund të rivlerësohen në miliarda dollarë, nëse teknologjia do të ecë.”- u shpreh Ahmetaj.

KODHELI: TË MERRET PARASYSH INTERESI I SHQIPTARËVE
Ora: 11:51- Deputetja socialiste Mimi Kodheli theksoi qëndrimin e opozitës kundër privatizimit të Albpetrol-it, duke nënvizuar se vetëm “populli pronar mund të vendosë për tjetërsimin e pronave publike”.
“Për opozitën prona publike është njësoj e shenjtë si ajo private. Me privatizimin e ARMO-s kemi pasur më shumë evazion fiskal, ndotje të mjedisit. Evazioni që është bërë me naftën virgin është në sytë e të gjithëve. Privatizimi i CEZ ka sjellë përkeqësim të gjendjes financiare të KESH-it.”,-deklaroi Kodheli.

Sipas deputetes socialiste, pr/ligji nuk sqaron disa çështje thelbësore që lidhen me pronarët e vjetër apo punonjësit që rrezikojnë të mbeten të papunë.
“Na lind e drejta të pyesim a duhet lënë një përqindje për pronarët e vjetër apo trajtim i veçantë për punonjësit. Në nenin katër të pr/ligjit nuk përcaktohet trajtimi i njerëzve që do të dalin të papune nga ky privatizim. Në buxhetin e vitit 2012 nuk ka asnjë qindarkë të parashikuar për një skemë mbështetjeje”,- vijoi më tej Kodheli, e cila nënvizoi se “privatizimi nuk është një kalim i thjeshtë nga pronë publike në private, por duhet të jetë një proces transparent ku interesi i qytetarëve të jetë i pari dhe i vetmi.”,- përfundoi Kodheli.

ALBPETROL-i, NAÇO: PRIVATIZIMI SIGURON FONDE TË NEVOJSHME
Ora: 11:30- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço deklaroi në Kuvend se shitja 100% e Albpetrol-it do të sigurojë fonde të mjaftueshme monetare që do të përdoren për investime të nevojshme.
Në lidhje me punonjësit e Albpetrol-it, të cilët rrezikojnë të mbeten të papunë pas privatizimit, Naço theksoi se pr/ligji u siguron atyre pagën e një viti dhe vjetërsinë e punës.
“Fondet që do të përfitohen nga privatizimi do të përdoren për rrugë, investime, tunele. Nga shitja e menjëhershme nuk do përfitohen vetëm këto fonde por do vazhdohen të merren të ardhurave nga tatim-fitimet.”- theksoi ministri Naço.

Sipas ministrit Naço, procedurat filluan me përzgjedhjen e një konsulenti ndërkombëtar, nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në vitin 2010. Nga 7 kompanitë që konkurruan, kompania "Patton Boggs" u shpall fituese dhe aktualisht është duke bërë raportin përfundimtar të kësaj konsulence.

Sipas draftit të paraqitur, forma e privatizimit e përcaktuar në këtë ligj është transferimi i të drejtës së pronësisë nga shteti tek investitorët strategjikë dhe formula e këtij privatizimi, nëpërmjet kontratës së shitjes, do të jetë shitja 100% e aksioneve të shoqërisë "Albpetrol".

DISKUTOHET PR/LIGJI PËR MBIKËQYRJEN E PRODUKTEVE JOUSHQIMORE
Ora: 10:45- Seanca e radhës e Kuvendit nisi me diskutime rreth pr/ligjit për mbikëqyrjen dhe tregtimin e produkteve joushqimore.
Deputeti socialist Saimir Tahiri ngriti shqetësimin e tregtimit të mallrave të pakontrolluara në treg, duke sjellë ndërmend zjarrin e pak ditëve më parë në një magazinë fishekzjarrësh në Tiranë.
“Nëse ka një shprehje që sot merr kuptim më shumë se kurrë është të blesh vdekjen me para. Nuk është mbushur muaji nga zjarri ne tregun industrial në kombinat ku u shkaktuan dëme të mëdha, e gjithë kjo sepse në atë treg shiten në mënyrë të pakontrolluar mallra që nuk kanë garanci për jetën e qytetarëve”,- deklaroi Tahiri.
Ndërkohë, sipas deputetëve të mazhorancës, pr/ligji për mbikëqyrjen dhe tregtimin e produkteve joushqimore është në përputhje dhe nuk bie në kundërshtim me dispozitat e Bashkimit Europian.

KUVEND, SOT SHQYRTOHET PRIVATIZIMI I ‘ALBPETROL’, VOTOHET DHE KREU I KLSH
Ora: 07:40- Rendi i ditës i publikuar zyrtarisht nga Kuvendi parashikon që seanca parlamentare e radhës të shqyrtojë pr/ligjin "Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë 'Albpetrol' sh.a. Patos", i cili pritet të shoqërohet me debate për shkak të kundërshtimit të opozitës.

Gjithashtu, në punimet e ditës së sotme deputetët do të shqyrtojnë dhe pr/ligjin "Për tregtimin dhe mbikqyrjen e tregut të produkteve joushqimore" dhe një shtesë në ligjin "Për miratimin e niveleve të tarifës doganore".

Disa ndryshime në ligjin "Për noterinë", si dhe disa shtesa në ligjin "Për arsimin e lartë", janë gjithashtu në axhendën e punimeve të Kuvendit, ndërsa pritet të votohet dhe dekreti i Presidentit të Republikës për emërimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Një interpelancë me Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, e kërkuar nga deputetja e PS-së, Arta Dade është parashikuar në fund të punimeve të seancës së Kuvendit.

(er.nu/d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›