E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqet "vejusha e zezë", dy viktima brenda një jave

Rishfaqet "Vejusha e zezë". Brenda një jave në Fier janë regjistruar dy raste të pickimit nga merimanga e vogël me helm vdekjeprurës. Fatmirësisht rastet janë paraqitur në kohë në spital dhe bluzat e bardha i kanë trajtuar plotësisht.

Ka vetëm pak ditë që termometri ka shënuar vlera mbi mesataren e muajit maj dhe janë shfaqur rastet e para të sulmit të vejushës së zezë. Ndërkohë, mjekët tërheqin vëmendjen, sidomos për fermerët, që të marrin masa për të mos rënë "pre" e këtij insekti të rrezikshëm.

"Janë dy raste që janë paraqitur gjatë kësaj jave për ndihmë në repartin tonë. Rasti i parë ka qenë nga fshati Belishovë i Mallakastrës, ndërsa rasti i dytë nga Roskoveci. Të dyja rastet janë përballuar më së miri prej nesh, por vështirësi janë hasur kryesisht në rastin e Roskovecit. Ky rast ka qenë me më shumë probleme për vetë faktin se pacienti është paraqitur vonë për ndihmë. Në të tilla raste, rekomandohet që menjëherë pas pickimit, viktima e merimangës t‘u drejtohet qendrave mjekësore për të marrë ndihmën e parë", tha mjeku toksikolog, Kilo Stoja.

Edhe pse mjeku nuk donte t‘i bënte publikë emrat e pacientëve, duke ruajtur privatësinë e tyre, ka bërë publike vetëm faktin se këta persona kanë qenë duke punuar në ara kur janë pickuar nga insekti i rrezikshëm.

Për këtë arsye, me fillimin e stinës së nxehtë të verës ai ka dhënë dhe porositë paraprake për të evituar që këto raste të mund të shkaktojnë ndërlikime për shëndetin, që shkojnë deri dhe në vdekje. "Mbathja e çizmeve dhe veshja e dorezave në kohën kur punon në arë, është gjëja e parë që çdo fermer duhet ta ketë parasysh, sidomos gjatë kësaj periudhe. Në rastet kur pickohen, duhet të paraqiten menjëherë në spital, pasi çdo minutë e humbur mund të kushtojë dhe jetën. Sa më shpejt të paraqitet, aq më pak ndërlikime do të ketë dhe jeta do të jetë më e sigurt", tha mjeku Kilo Stoja.

Për sa u përket simptomave që shfaqen nga pickimi i merimangës së zezë, Stoja sqaron: "Dhimbjet janë të shumta. Ato nisin që nga vendi ku ka ndodhur pickimi dhe vazhdojnë me stomakun, barkun etj. Shpesh herë pacientit i duket sikur ka dhimbje stomaku apo apendiciti, duke mos e kuptuar që dhimbja e ka origjinën nga pickimi i merimangës. Më pas mund të ndodhë që nga dhimbjet e forta, viktima të kalojë në gjendje shoku".

"Vejusha e zezë"

Merimanga me emrin shkencor Latrodectus tredecimguttatus, njihet si "vejusha e zezë", sepse femra e kësaj specieje e vret mashkullin me helmin e saj menjëherë pas çiftimit.

Merimanga ka një gjatësi prej 1-3 cm, ngjyrë të zezë me disa pulla të kuqe, por që mund të jenë edhe të verdha apo portokalli.

Helmi i kësaj merimange mund të rezultojë fatal për jetën dhe personat e rrezikuar janë bujqit. Vitet e fundit ky insekt ka shkaktuar dhjetëra të vdekur në Shqipëri, ndërsa raportohet e njëjta situatë edhe në Bosnjë-Hercegovinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›