E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen mushkat e ngarkuara me cigare kontrabandë

Policia kufitare e Qarkut të Shkodrës ka bërë të mundur sekuestrimin e 16 kolive me cigare, të cilat po hynin kontrabandë nga Mali i Zi drejt Shqipërisë. Sipas policisë lokale, cigaret po transportoheshin me mushka nëpërmjet një terreni të thyer malor rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur brigjet e Hotit, në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Hotit. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka shoqëruar dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë për arsye hetimi, pasi mendohet që këta të jenë transportuesit e cigareve kontrabandë. Mësohet se personat në fjalë janë nga zona kufitare, njohin mirë terrenin dhe rrugët e kalimit. Në shumë raste, persona të zonës përdoren nga kontrabandistët si udhërrëfyes. Cigaret e sekuestruara nga policia janë kryesisht të markës "Viva Slims".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›