E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiu fik fitilin për tritolin që i ishte vënë kryebashkiakut të Maliqit

SHKRUAN: Irena Vreto 19-05-2011 11:01

Korçë- Kërcënohet me eksploziv kryetari i Bashkisë Maliq. Për fat të mirë sasia e madhe e lëndës plasëse nuk ka shpërthyer pas kontaktit të fitilit me ujin. Ngjarja ka vënë në alarm familjen e kryetarit të Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, i cili më 8 maj është rikonfirmuar në krye të bashkisë së qytetit të vogël në mandatin e tij të katërt. Ndërkaq, policia ka filluar hetimet për të zbuluar autorësinë e këtij akti kriminal, që për fat të mirë nuk ka shpërthyer, duke mos rrezikuar jetën e personave që gjendeshin në banesë.

Ngjarja

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Korçë, mësohet se një sasi prej 1.5 kilogram lëndë plasëse, që dyshohet të jetë tritol, është gjetur në oborrin e shtëpisë së kryebashkiakut të Maliqit, Gëzim Topçiu, përfaqësues i Partisë Socialiste. Lënda shpërthyese ishte vendosur në oborr, teksa fitili i saj ka rënë në lagështi duke shmangur në këtë mënyrë shpërthimin për të cilin ishte projektuar vendosja e tij. Duket se fati ka qenë me familjarët e kryetarit të bashkisë, i cili vetë nuk ka qenë në shtëpi në momentin kur është vendosur eksplozivi. Në banesë kanë qenë bashkëshortja dhe fëmijët, teksa në rrethana rastësore është zbuluar sasia e lëndës plasëse, e cila ishte e mbështjellë si një pako me letër natriban, për të shmangur kontaktin me ujin. Ka qenë fitili i cili është lagur pas reshjeve të shiut, duke mos lejuar ndezjen dhe për pasojë edhe shpërthimin që mund të sillte një tragjedi të mundshme në familjen Topçiu.

Deklarata

Policia pas njoftimit për ngjarjen ka nisur hetimet intensive, teksa nuk dihet ende autorësia e këtij akti të rëndë kriminal. Gëzim Topçiu i mandatuar për herë të katërt si kryetar bashkie ka pohuar në një prononcim për gazetën se ngjarja e vendosjes së sasisë së lëndës plasëse në oborrin e shtëpisë së tij lidhet me një akt të mirëfilltë politik dhe mjaft të rëndë. “Ky është një akt mjaft i rëndë politik dhe i paprecedent. Unë nuk kam patur asnjëherë probleme apo konflikte me asnjë qytetar, përkundrazi ata më kanë votuar përsëri. Këtë ngjarje e konsideroj si një kërcënim me prapavijë politike. Kërkoj nga ana e organeve kompetente të gjenden autorët dhe të vihen para drejtësisë”, ka pohuar në prononcimin e tij Topçiu. Pas ngjarjes, banorët e qytetit të Maliqit, vetëm 15 kilometra larg Korçës, duken shumë të traumatizuar, ndërsa policia nga ana e saj ka vendosur disa postblloqe në qytet dhe ka nisur kërkimet për identifikimin e autorësisë së këtij akti. Ndërkaq nuk ka asnjë të dhënë për autorët, ndërsa janë marrë në pyetje mbi 10 persona në Maliq, të cilët janë pyetur për këtë akt të rëndë të ndodhur në banesën e qytetarit të parë të këtij qyteti. Gjatë zgjedhjeve të 8 majit, Gëzim Topçiu garoi për “Aleanca për të ardhmen” dhe mori 1 649 vota kundrejt Xhevdet Belishtës së “Aleanca të qytetarit”, i cili mori 1 478.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›