E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi i Spahiut, komisioni hetimor zhvillon mbledhjen e dytë

TIRANË - Komisioni hetimor për shkarkimin e zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, zhvillon paraditen sot rreth orës 11:30 mbledhjen e tij të dytë.

Në këtë mbledhje anëtarët e komisionit pritet të paraqesin fakte dhe të dhëna për të provuar pretendimet e deputetëve të PD-së, që ndërmorën nismën ligjore për shkarkimin e Spahiut nga kjo detyrë.

Në mbledhjen e tij të parë komisioni, i cili është bojkotuar nga opozita, miratoi plan-veprimin, ndërsa ra dakord që t'i drejtohet me një shkresë zv/kryetarit të KLD-së për të caktuar ditën e paraqitjes së tij në komision.

Afati i shtrirjes së hetimeve nga komisioni do të jetë brenda një periudhe tre-javore, ndërsa më pas anëtarët e tij do të përgatisin raportin lidhur me veprimtarinë e Kreshnik Spahiut. Raporti do t’i përcillet Kuvendit për t’u votuar në seancë plenare.

Në seancën e 26 janarit parlamenti miratoi ngritjen e një komisioni hetimor për veprimtarinë e zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, e kërkuar nga një grup deputetësh të mazhorancës, me akuzën se ai po shkel ligjin dhe po abuzon me postin e lartë për t’u marrë me veprimtari politike.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Shkarkimi, Spahiu: Dorëhiqem nga KLD, vijoj me kauzat e Kuq e Zi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›